New York Times ka bërë një analizë të gjatë lidhur me situatën e tensionuar mes SHBA dhe Iranit dhe pretendimet për një sulm të mundshëm nga ana e Amerikës.

Që nga fillimi i janarit Irani është përballur me protesta të dhunshme në Teheran dhe qytete të tjera ku janë raportuar edhe mijëra viktima. Si pasojë nuk ka munguar edhe kërcënimet për sulme të mundshme nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei  është drejtuar te një toger i besuar dhe besnik për të udhëhequr vendin; Ali Larijani, zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare të vendit.

Që atëherë Larijani, një politikan veteran 67-vjeçar, ish-komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare dhe kreu aktual i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, e ka drejtuar vendin.

Duke cituar gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë tre anëtarë të Gardës Revolucionare,  NYT vëren se Larijani “ishte përgjegjës për shtypjen e protestave të fundit, ndërsa aktualisht punonte me aleatë të fuqishëm si Rusia dhe lojtarë rajonalë si Katari dhe Omani dhe mbikëqyrte negociatat bërthamore me Uashingtonin.

Ai gjithashtu po harton plane për menaxhimin e vendit gjatë një lufte me Shtetet e Bashkuara”.

“Ne jemi gati në vendin tonë”, tha Larijani në një intervistë me Al Jazeera gjatë vizitës së tij në Katar.

“Ne jemi padyshim më të fortë se më parë, jemi përgatitur për shtatë, tetë muajt e fundit, kemi identifikuar dobësitë tona dhe i kemi korrigjuar ato. Ne nuk kërkojmë luftë dhe nuk do të fillojmë luftë. Por nëse na imponohet, ne do të përgjigjemi”, shtoi ai.

Udhëzimet e Khameneit

Sipas raportit të gazetës amerikane, “Khamenei i ka udhëzuar Larijani-n dhe një grusht bashkëpunëtorësh të tjerë të ngushtë politikë dhe ushtarakë që të sigurohen që Republika Islamike t’i mbijetojë jo vetëm bombave amerikane dhe izraelite, por edhe çdo përpjekjeje për vrasjen e udhëheqësve të saj të lartë, përfshirë vetë zotin Khamenei.”

Sipas burimeve të cituara nga New York Times , Ajatollah Ali Khamenei ka lëshuar një sërë udhëzimesh: “Ai ka vendosur katër nivele trashëgimie për çdo komandë ushtarake dhe rol qeveritar që ai emëron personalisht. Ai gjithashtu i ka kërkuar të gjithëve në pozicione udhëheqëse të caktojnë deri në katër zëvendësues dhe i ka caktuar përgjegjësinë një rrethi të ngushtë të njerëzve të besuar për vendimmarrje në rast se komunikimi me të ndërpritet ose ai vritet.”

Lëvizjet ushtarake

Irani po vepron nën supozimin se sulmet ushtarake amerikane janë të pashmangshme dhe të afërta, edhe pse të dyja palët vazhdojnë të negociojnë diplomatikisht për një marrëveshje bërthamore, me zyrtarët iranianë që thonë se Teherani i ka vënë të gjitha forcat e armatosura iraniane në gatishmëri të lartë dhe po përgatitet të hakmerret me forcë.

Vendi thuhet se po vendos lëshues raketash balistike përgjatë kufirit të tij perëndimor me Irakun, mjaftueshëm afër për të goditur Izraelin dhe përgjatë bregdetit të tij jugor në Gjirin Persik, brenda rrezes së bazave ushtarake amerikane dhe objektivave të tjerë në rajon.

Në të njëjtën kohë, në rast lufte, forcat speciale të policisë, agjentët e inteligjencës dhe batalionet e milicisë civile Basij, një degë e Gardës, do të vendosen në rrugët e qyteteve të mëdha, më pas do të ngrenë pika kontrolli për të parandaluar trazirat e brendshme dhe për të kërkuar agjentë të lidhur me shërbimet e huaja të inteligjencës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: