Egnatia e ka nisur me një rezultat pozitiv aventurën në UEFA Champions League, duke barazuar 1-1 në transfertë ndaj kampionëve të Moldavisë, Petrocub, në takimin e parë të raundit të parë kualifikues.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zimbru” nisi në mënyrën më të vështirë për skuadrën shqiptare, me vendasit që kaluan në avantazh që në minutën e parë me Popescu. Megjithatë, kampionët e Shqipërisë reaguan mirë dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 35-të me Altin Kryeziun, pas asistit të Jaime.
Pak para mbylljes së pjesës së parë, Egnatia mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Aleksit në minutën e tretë shtesë, por skuadra e drejtuar nga Nevil Dede tregoi karakter në pjesën e dytë, duke ruajtur baraspeshën dhe duke mos lejuar vendasit të gjenin golin e fitores.
Barazimi 1-1 mban plotësisht të hapur garën për kualifikim, me fatin e këtij dueli që do të vendoset në ndeshjen e kthimit. Egnatia do të presë Petrocub më 15 korrik në “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 21:00, ku kampionët e Shqipërisë do të synojnë fitoren dhe kalimin në raundin e dytë të UEFA Champions League.
