Dinamo City mori një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të dytë të UEFA Conference League, duke barazuar 1-1 në transfertë ndaj Aluminij në Slloveni.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e nisi mjaft mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 15-të me Hekuran Berishën. Blutë administruan mirë lojën për pjesën më të madhe të sfidës, por vendasit arritën të barazonin në minutën e 84-t me anë të Vrbanec, duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit.

Me këtë barazim, Dinamo City ruan shanse të plota për të siguruar kalimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, ku gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Sfida Dinamo City – Aluminij do të luhet më 30 korrik, në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 21:00, ku skuadra shqiptare do të synojë të shfrytëzojë mbështetjen e tifozëve për të siguruar një tjetër kualifikim në arenën europiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb