Kombëtarja shqiptare U-16 e vajzave zhvilloi sot ndeshjen e dytë në kuadër të turneut UEFA Development, duke u përballur me Norvegjinë në “Shtëpinë e Futbollit”.
Vajzat kuqezi u mposhtën me rezultatin 0-2 në një ndeshje të luftuar deri në fund.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e balancuar, me të dyja skuadrat që u përpoqën të kontrollonin ritmin e lojës dhe të krijonin raste shënimi, por pa arritur të zhbllokonin rezultatin.
Në pjesën e dytë, Norvegjia arriti të kalojë në avantazh në minutën e 51-të me golin e realizuar nga Diana Wilson Kumi. Pas golit të pësuar, Shqipëria reagoi duke kërkuar më shumë në fazën sulmuese dhe duke bërë disa zëvendësime për të freskuar skuadrën.
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me avantazhin minimal të Norvegjisë, në minutën e 93-të Martine Waehler shënoi edhe golin e dytë për skuadrën nordike, duke vulosur përfundimisht rezultatin 0-2.
Në sfidën tjetër të turneut, të zhvilluar po në “Shtëpinë e Futbollit”, Italia mposhti Uellsin me rezultatin 4-1.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit të turneut më 16 prill, në ora 12:00, ku do të përballet me Italinë, në “Shtëpinë e Futbollit”.
