Tensionet mes UEFA-s dhe FIFA-s vazhdojnë të thellohen. Sipas raportimeve, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, po punon për të siguruar mbështetjen e klubeve evropiane me synimin për të bojkotuar Botërorin e Klubeve 2029, një projekt i promovuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Ceferin pritet të zhvillojë një takim me presidentin e Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC), Nasser Al-Khelaifi, për të diskutuar mundësinë që klubet evropiane të mos marrin pjesë në turneun e vitit 2029.
Aktualisht, Botërori i Klubeve 2029 nuk ka ende një vend organizimi të përcaktuar, as një model të qartë financimi apo sponsorë, ndërsa mungon edhe një marrëveshje mes FIFA-s dhe Shoqatës së Klubeve Evropiane. Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje lidhet me pagesat e solidaritetit që FIFA ende nuk ua ka shpërndarë shumë klubeve pas edicionit të vitit 2025.
Qëndrimi i UEFA-s vjen si pjesë e përplasjes së vazhdueshme me FIFA-n për kalendarin e ngarkuar të futbollit dhe zgjerimin e kompeticioneve ndërkombëtare. Ceferin e ka kritikuar më parë Botërorin e Klubeve, duke e cilësuar atë si një projekt që i shërben interesave të FIFA-s dhe që rëndon edhe më shumë kalendarin e klubeve evropiane.
Nëse klubet evropiane do të vendosnin të bojkotonin turneun, kjo do të përbënte një goditje të rëndë për planet e FIFA-s, pasi shumica e skuadrave më të forta dhe me ndikimin më të madh ekonomik në futbollin botëror vijnë pikërisht nga Evropa.
