Pak ditë më parë, në redaksinë e News24 mbërriti një video amatore ku një person i zonës së Klosit kishte filmuar mënyrën sesi furnizohej me ujë ujëmbledhësi i Suçit në Klos. Një tub i gjatë plastik lidhte ujëmbledhësin me përroin e fshatit, nga ku me sa duket merret ujë për të mbushur rezervuarin, ku niveli është i ulët, në mënyrë që rrjeti të furnizohet normalisht.

Këto pamje sjellin shqetësim të madh mbi mënyrën sesi depot furnizohen me ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe për faktin që çdokush mund të ketë akses në ujëmbledhësin e qytetit. Për këtë shqetësim News24 shkoi në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Qarkut Dibër dhe degës së Klosit. Përgjegjësi i ujësjellës kanalizimeve Klos Kastriot Pjetri, thotë se depot të cilat janë në një zonë malore e të largët, janë të sigurta dhe asgjë s’mund të hyjë aty, por pamjet tregojnë se tubi del pikërisht prej tyre.

“Depoja është e mbyllur hermetikisht, nuk mund të hyjë asgjë”, thotë përgjegjësi. Për më tepër ai pranon se ujëmbledhësi i Suçit nuk ka roje 24 orë.

Mungesa e rojës 24 orë në ujëmbledhës, e ekspozon këtë të fundit nga rreziqe edhe më të mëdha sesa uji i përroit. Siç përvoja ka treguar, në këto kushte, persona keqbërës mund të hedhin në depo substanca të rrezikshme që të kontaminojnë ujin e pijshëm duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e banorëve.

Nëse autoritetet nuk mbyllin menjëherë hapësirat dhe nuk vendosin mbikëqyrje reale, uji i pijshëm i Klosit riskon të shndërrohet nga burim jetese në kërcënim të vërtetë për jetën e njerëzve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb