Zyrtarët rusë dhe ukrainas përfunduan ditën e dytë të bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, duke njoftuar një këmbim të ri të të burgosurve të luftës, por pa arritur ndonjë përparim tjetër në përpjekjet për të ndalur luftën e Moskës ndaj Ukrainës.

Përpara takimeve në Abu Dhabi, si zyrtarët rusë ashtu edhe ata ukrainas aluduan se ka shenja optimizmi për dhënien fund të luftës, që Rusia e nisi ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, që deri më tani ka vrarë ose plagosur afër 2 milionë vetë në Ukrainë dhe Rusi.

Në një gjest të mirëbesimit, të dyja palët u pajtuan për një këmbim tjetër të të burgosurve të luftës, gjë që ka ndodhur kohë pas kohe gjatë gjithë luftës. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, që ka udhëhequr bisedimet, tha më 5 shkurt se në total 314 të burgosur do të lirohen.

“Përderisa ka ende shumë punë që duhet bërë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi diplomatik i vazhdueshëm po sjell rezultate konkrete dhe po avancojnë përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë”, shkroi Witkoff në X.

As zyrtarët rusë as ata ukrainas nuk kanë folur për rezultatin e bisedimeve.

Kyrylo Budanov, ish-shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, tani këshilltar kryesor presidencial, u citua nga RBK-Ukraine të ketë thënë se bisedimet ishin “me të vërtetë konstruktive”.

Pavarësisht aludimeve për përparim, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës me dronë dhe raketa. Në nisje të bisedimeve, Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore që kur ka nisur lufta, duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe duke rënduar situatën për civilët në ditët e ftohta të dimrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb