Forcat ruse po “përqendrojnë përpjekjet e tyre kryesore” në qytetet e Lisiçanskut dhe Verkhnokamjankës, në rajonin e Donetskut, tha të dielën zëdhënësi i ushtrisë ukrainase. Ndërkohë, shpërthimet në një qytet rus afër kufirit me Ukrainën kanë shkaktuar vrasjen e të paktën katër personave.

Javët e fundit luftëtarët ukrainas janë përpjekur të mbrojnë qytetin e Lisiçanskut, për të shmangur rënien e tij në duart e forcave ruse, siç ndodhi me qytetin fqinj të Sievierodonetskut, një javë më parë.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase tha se fati i Lisiçanskut mund të përcaktohet brenda disa ditësh.

“Në rajonin e Donetskut, pushtuesit kanë përqëndruar përpjekjet e tyre në sigurimin e pozicioneve në zonat e qyteteve të Lisiçanskut dhe Verkhnokamjankës. Ofensivat e tyre afër Belogorivkës kanë dështuar, duke i detyruar ata të tërhiqen”, tha zënëdhënësi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Shtupun.

Ai vuri në dukje gjithashtu lëvizjen e njësive ushtarake bjelloruse përgjatë kufirit ukrainas, duke thënë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përforcoheshin nga ushtria ruse.

Ndërkohë, Rusia pretendoi sot se ka marrë nën kontroll një qytet të rëndësishëm të provincës së Luhanskut. Ministri rus i Mbrotjes Sergei Shoigu i ka thënë Presidentit rus Vladimir Putin sot se forcat e armatosura të Rusisë dhe seperatistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e plotë të qytetit të Lisiçanskut. Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar këtë pretendim të Rusisë.

Pushtimi i Lisiçanskut do ta sillte Moskën me afër qëllimit të saj të deklaruar për të pushtuar të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore.

Luhansku dhe Donetsku fqinj, janë dy provincat që përbëjnë rajonin Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj që nga tërheqja e trupave nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti i saj, Kievi, në pranverë.

Ndërkohë, nga shpërthimet në një qytet rus në kufi me Ukrainën të dielën janë vrarë të paktën katër persona, thanë zyrtarët rusë.

Dhjetëra ndërtesa banimi u dëmtuan nga shpërthimet në Belgorod. Ligjvënësi rus Andrei Klishas ka bërë thirrje për një përgjigje ushtarake ndaj shpërthimeve.

“Vdekja e civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile në Belgorod”, tha ai në një postim në platformën Telegram, “janë një akt i drejtpërdrejt agresioni nga ana e Ukrainës dhe kërkojnë përgjigjen më të ashpër, duke përfshirë atë ushtarake”.

Zyrtarët ukrainas zakonisht nuk kanë bërë komente mbi sulmet në territorin e Rusisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb