Parlamenti i Ukrainës ka votuar me shumicë dërrmuese – 357 vota pro – për zgjatjen e ligjit ushtarak deri në gusht, në një përpjekje për të përballuar agresionin e vazhdueshëm rus dhe për të mbajtur mobilizimin e forcave të armatosura. Kjo masë pezullon gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve, duke nxitur debate të forta në arenën politike të vendit.

Ndërsa përballja me trupat ruse intensifikohet, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballet me presion të shtuar ndërkombëtar për mbajtjen e zgjedhjeve. Ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar Zelenskyn si “diktator”, koment që ka shkaktuar reagime.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyt pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024. Sipas ligjit ukrainas, mbajtja e zgjedhjeve gjatë gjendjes ushtarake është e pamundur, çka ka thelluar tensionet politike në vend.

Ish-presidenti dhe lideri opozitar Petro Poroshenko, ndonëse ka mbështetur zgjatjen e ligjit ushtarak pas sulmeve të fundit ruse në qytetet Sumy dhe Kryvyi Rih, ka akuzuar Zelenskyn për përpjekje për të forcuar pushtetin personal nën petkun e luftës. Pavarësisht kritikave, partia e Poroshenkos, “Solidariteti Evropian”, votoi pothuajse në bllok për zgjatjen e ligjit, me vetëm një përjashtim.

Ndërkohë, bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga administrata Trump mbeten një rreze shprese për një armëpushim të mundshëm dhe kthim në jetën demokratike të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: