Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot paqen fiskale, një kapitull të ri partneriteti dhe besimi me sipërmarrjen.

Gjatë podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te dialogu me sipërmarrjen për paqen fiskale, i cili ka vijuar edhe gjatë javës që lamë pas.

“Një kapitull i ri partneriteti dhe besimi sapo ka nisur me sipërmarrjen, natyrisht mbi themelet që tanimë janë hedhur dhe këtë javë folëm gjerë e gjatë, duke ndarë disa pikëpamje e duke pasur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale, një zotim i fushatës sonë elektorale, që sot është ligj dhe duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm hyn në zbatim”, theksoi ai.

Në thelb, Rama tha se paqja fiskale synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

“Ajo u jep mundësi ndërmarrjeve, që nuk janë në konflikt me ligjin të vetëkorrigjojnë deklarimet e të shkuarës, t’u rikthehen pasqyrave të mëparshme dhe për çdo korrigjim të paguajnë një tatimfitimi vetëm 5%”, shtoi ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, marrëveshja mes sipërmarrjes dhe administratës mbi tavanin e ri të fitimit vjetor, sjell paqe e qetësi, shmang çdo inspektim dhe ul barrën burokratike, që shpesh peshon më shumë sesa barra fiskale.

Kryeministri theksoi se nga kjo nismë pritet më shumë formalizim, më shumë energji sipërmarrëse dhe më shumë ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Çlirimi i të gjitha sipërmarrjeve nga të gjitha gjobat e vjetra, borxhet e vjetra, sipas skedulës së përcaktuar shkon në këtë drejtim”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb