Rrjeti SafeJournalists, në bashkëpunim me partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat për lirinë e medias në Shqipëri, i është drejtuar me një letër të hapur Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të shprehur shqetësimet serioze lidhur me propozimet për kufizimin e qasjes së gazetarëve në ambientet e Parlamentit.

Në letrën e dërguar, organizatat e medias ngrenë alarmin për disa ndryshime të propozuara nga shumica parlamentare. Shqetësimit i janë bashkuar edhe AEJ Albania, AGSH dhe UGSH, 3 nga organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Organizatat paralajmërojnë se masa të tilla do të ulnin llogaridhënien, do të cenonin transparencën dhe do t’u mohonin qytetarëve qasjen në informacion të pavarur dhe në kohë reale.

“Parlamenti është një nga të paktat forume ku gazetarët ende kanë mundësi të drejtojnë pyetje direkte përfaqësuesve politikë. Kufizime të tilla do të përbënin një hap pas të madh për lirinë e shtypit në Shqipëri,” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në letër theksohet gjithashtu se qeveria dhe deputetët e shumicës rrallë mbajnë konferenca për shtyp apo marrin pjesë në debate të pavarura, çka e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen e aksesit të lirë të medias në mjediset parlamentare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Deklarata e AGSH
Sot, 26 organizata ndërkombëtare dhe shqiptare për lirinë e medias dhe shoqërinë civile i kanë dërguar një letër të hapur Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe drejtuesve të grupeve parlamentare.
Organizatat shprehin shqetësimin e thellë për planet e shumicës parlamentare për të kufizuar aksesin e gazetarëve në Kuvend, përmes heqjes së filmimeve të pavarura dhe kufizimit të kontakteve spontane me deputetët.
Në këtë letër kërkohet:
• Ruajtja e transparencës dhe aksesit real të gazetarëve në Parlament;
• Shmangia e praktikave që kufizojnë pyetjet spontane dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me deputetët e ministrat;
• Zbatimi i standardeve europiane për lirinë e medias si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.
Ky është një apel i 26 organizatave që thekson se kufizimi i qasjes së gazetarëve do të ishte një hap i rrezikshëm prapa për demokracinë dhe transparencën në vend.

Deklarata e Shoqatës së Gazetarëve Europianë, Seksioni Shqiptar (AEJ)
Shoqata e Gazetarëve Europianë, seksioni Shqipëri, shpreh shqetësimin për nismën e mazhorancës parlamentare për të ndaluar gazetarët dhe kameramanët të ndjekin aktivitetet e Kuvendit në sallën e seancave plenare dhe në oborrin e institucionit.

Duke e cilësuar këtë projekt si një përpjekje të rrezikshme ndaj lirisë së mediave, Shoqata e Gazetarëve Europianë i kërkon kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreut të grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, të shpjegojnë publikisht arsyet e një vendimi të tillë.

Shoqata thekson se moslejimi i gazetarëve për të pyetur deputetët në oborrin e Kuvendit dhe bllokimi i kamerave në lozhën e sallës plenare përbën një cenim të parimeve bazë të lirisë së medias.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb