Rritja e çmimit të naftës në vend, në një kohë tensioni gjeopolitik në Lindjen e Mesme, po shoqërohet me kritika të forta ndaj politikave fiskale dhe funksionimit të tregut të karburanteve në Shqipëri.
I ftuar në studion e News24, eksperti Eduard Elezi u shpreh se ndërhyrjet e qeverisë në çmime janë bërë pa analiza të mirëfillta dhe pa studime konkrete mbi efektet në ekonomi.
Elezi solli në vëmendje edhe diskutimet e mëparshme për tarifimin e energjisë, duke përmendur propozimet e ish-ministres Belinda Balluku për vendosjen e një tarife të diferencuar mbi 800 kWh, që sipas tij janë bërë pa studime të mirëfillta. Ai kritikoi gjithashtu edhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama lidhur me referimin e çmimit të naftës në nivelin 220 lekë/litër.
“Është një lojë kungulleshkash, pa studime dhe pa analizë të efekteve reale në treg”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e konkurrencës në tregun e karburanteve, të cilin ai e cilësoi si të kontrolluar nga një numër i vogël kompanish. Ai ngriti shqetësimin për ekzistencën e një karteli, ku çmimet fiksohen dhe nuk reflektojnë uljet në tregjet ndërkombëtare.
“Kur çmimi bie jashtë, në Shqipëri nuk ulet. Kjo tregon se kemi një treg të komanduar nga 2-3 kompani”, deklaroi Elezi, duke shtuar se institucionet duhet të ndërhyjnë për të shmangur fiksimin e çmimeve dhe për të garantuar konkurrencën.
Ai kritikoi edhe rolin e Bordit të Transparencës, duke theksuar se zgjidhja nuk qëndron tek ky mekanizëm, por tek ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për të luftuar praktikat monopoliste.
Në analizën e tij, Elezi u ndal edhe tek sektori i energjisë elektrike, duke evidentuar diferenca të mëdha në treg. Sipas tij, ka biznese që e blejnë energjinë me çmime shumë më të larta se ato me të cilat shitet nga prodhues të tjerë, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e tregut dhe të ardhurave.
Ai theksoi se prodhimi i KESH mbulon një pjesë të konsiderueshme të konsumit në vend, duke ngritur pyetje mbi destinacionin e të ardhurave dhe eficiencën e menaxhimit.
Eksperti u ndal edhe tek mungesa e prodhimit vendas të përpunuar të naftës, duke kujtuar se Shqipëria ka pasur rafineri dhe prodhim të konsiderueshëm në të kaluarën. Sipas tij, rikthimi i kapaciteteve përpunuese do të kishte ndikim pozitiv në uljen e çmimeve.
Në përfundim, Elezi theksoi se problemi kryesor mbeten taksat e larta mbi karburantet dhe mungesa e politikave mbështetëse. Ai kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria përmes uljes së barrës fiskale dhe krijimit të një fondi kompensimi për të përballuar situatën.
“Çmimi i naftës ndikon zinxhir në çdo produkt dhe shërbim. Ndaj duhet një paketë financiare që të mbështesë qytetarët dhe bizneset në këtë moment të vështirë”, përfundoi ai.
