“Kremlini i kushton vëmendje deklaratave të reja të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me zgjidhjen e situatës në Ukrainë dhe sanksionet e mundshme ndaj ekonomisë”. Kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp, duke komentuar ultimatumin e ri 12-ditor këtë herë që vendosi shefi i Shtëpisë së Bardhë për Vladimir Putin, me qëllim dhënien fund të luftës në Ukrainë.
“Ne vazhdojmë të regjistrojmë të gjitha deklaratat që vijnë nga Presidenti Trump dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë mbi këtë çështje”, u tha Peskov gazetarëve, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ekonomia ruse ishte e përgatitur për sanksione të reja.
“Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është një faktor pozitiv. Bashkëpunimi hapësinor aktualisht zë një pozicion të veçantë, i cili është ndoshta një faktor shumë pozitiv: pavarësisht të gjitha vështirësive, bashkëpunimi në fushën e eksplorimit të hapësirës vazhdon. Kontaktet e këtij lloji janë shumë të rëndësishme. Mbajtja e dialogut, të paktën në fusha të tilla jetike, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, deklaroi ai.
(Balkanweb)
