Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se transformimi i Tiranës nuk mund të mbulohet nga balta e hedhur nga “këneta”.

Sipas tij, ky qytet ka kaluar në një fazë moderne dhe europiane, ku qytetarët, politikanët dhe turistët shijojnë kushte më të mira jetese, që nuk mund të krahasohen me të kaluarën.

Duke e cilësuar Tiranën si një qytet që ka pasur një transformim të jashtëzakonshëm, Rama nënvizon se ky rezultat është arritur falë bashkëpunimit të tij me popullin e Tiranës dhe përpjekjeve të tij dhe kryebashkiakut Etion Veliaj, të cilët së bashku i dhanë jetë këtij ndryshimi.

“Barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim dhe të mbështes pavarësinë e drejtësisë. Barra juaj është që makineria e bashkisë Tiranë të mos fiket në asnjë minutë.

Vëmendja ime do të jetë 100 përqind. Besoj se pavarësisht se çfarë mendojnë për fajësinë e tij Veliajt do ti jepet mundësia e një procesi dinjitoz.

Përtej kësaj çështjeje specifike që është e drejtësisë jo e jona, asnjë buf dhe asnjë specie e kënetës tjetër mediatike dhe politike nuk mbulon dot me shoshën e blozës dhe llumit diellin e transformimit të Tiranës, ku pa mua që e nxora pa koma dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pa kursyer të popullit të Tiranës dhe pa lali Erion që e bëri të vrapoje e të kthehet në një destinacion turistik  ky qytet nuk do të ishte kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë, politikanë opozitarë qytetarë gazetarë, që i çojnë fëmijët në shkolla kopshte e çerdhe që nuk i lënë asgjë mangut atyre të BE, e duke i çuar të afërmit në një spital që nuk i lë gjë mangut atyre të BE. E duke shëtitur nëpër parqe bashkë me prindërit pensionistë e duke dalë shëtitje nga liqeni në një park si ata në Europë.

Këneta thotë se Tiranën moderne e bëri koha, ndërsa përmbytjen e bën bashkia.

Tiranën moderne e bëmë ne”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb