Orët e fundit, hetimet për vrasjen e 49-vjecarit Jani Aliaj në burgun e Koridhalos, kanë marrë kthesë tjetër.

Policia greke dyshon se autor i vrasjes së Aliajt mund të jetë 44-vjecari nga Tepelena, Xhuliano Halili. Ai ndodhej në të njëjtin sektor me Aliajn, në qeli afër njëri-tjetrit dhe cuditërisht rezulton i plagosur në këtë ngjarje. Dyshimet e policisë kanë lindur për faktin se i burgosuri grek, 27-vjecari Kristos Vardhuniotis, është vetëofruar si autor tek policia greke duke deklaruar: “Ta dini, unë e vrava”, ndërkohë nuk kishte asnjë shenjë përleshjeje. Nga ana tjetër rezultoi në vendngjarje i plagosur 44-vjecari Xhuliano Halili, i cili dy vite më parë kishte kryer vrasjen e Alfond Ndocit brenda në Koridhalo.

Në fakt, që pas ngjarjes së rëndë, brenda komunitetit të burgjeve, është diskutuar fakti që autor i vrasjes së Jani Aliajt ka qenë Halili, ndërkohë që greku është paguar ose kërcënuar për ta marrë përsipër. Kjo mesa duket ka rënë në vesh edhe të policisë greke, e cila orët e fundit ka nisur hetimet.

Të tjera burime bëjnë me dije se Jani Aliaj dyshohej prej vitesh se ishte përdorur në luftën e së ashtuquajturës “Mafia greke”. Kjo pasi ka pasur dyshime se ai ka qenë ekzekutor i një prej drejtuesve të grupeve kriminale greke që kontrollojnë jetën e natës në shtetin fqinj. Megjithatë këto dyshime kurrë nuk u vërtetuan.

Kush është Xhuliano Halili

44-vjecari nga Tepelena, Xhuliani Halili, i njohur edhe si “Niko”, rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi si vrasës me pagesë.

Ai akuzohet se në nëntor 2011, në Kalamata, ka vrarë shqiptarët Fillim e Oligert Mesaja, 35 e 2 vjec, me origjinë nga fshati Caj i Kukësit. Vrasja atëherë ishtë porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh. Halili mësohet se pasi kishte qëlluar me ciftë në kokë Fillimin, kishte therrur më pas në fyt djalin e mitur të tij.

Në vitin 2018 është arratisur nga Porti i Pireut teksa po transportohej drejt burgut. Bashkë me të u arratis edhe i dënuari Alfons Ndoci, por të dy u kapën shpejt nga policia.

Në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, Xhuliano Halili vrau të burgosurin 35-vjecar Alfons Ndoci dhe plagosi 48-vjecarin Altin Vokrri. Vrasja e Ndocit, dyshohet se ishte porositur me pagesë nga jashtë.

Xhuliano Halili mësohet se është autor edhe i dy vrasjeve të tjera me pagesë, në vitin 2008 dhe 2009, ku viktima të tij ishin dy shtetas grekë.

Në nëntor 2022, në Skourta të Viotias në Greqi, u ekzekutua dhe u dogj 27-vjecari Sulo Halili nga Tepelena. Një ndër pistat që u hetua ishte edhe lidhja me Xhuliano Halilin, pasi ishin kushurinj me njëri-tjetrin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb