Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i zhgënjyer, por se nuk ka hequr dorë përfundimisht nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Gjatë një interviste me BBC Trump u pyet nëse i beson liderit rus, dhe u përgjigj: “Unë pothuajse nuk i besoj askujt.”
Këto deklarata vijnë vetëm pak orë pasi presidenti amerikan njoftoi planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi vendosjen e tarifave të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim brenda 50 ditësh.
Në intervistën e dhënë nga Zyra Ovale, Trump gjithashtu konfirmoi mbështetjen e tij për NATO-n, duke theksuar se tani aleanca “po paguan faturat e veta”, ndryshe nga koha kur ai e kishte quajtur “të vjetruar”.
Ai ritheksoi rëndësinë e parimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s, duke thënë se “do të thotë që vendet më të vogla mund të mbrohen nga ato më të mëdha.”
Lidhur me Vladimir Putinin, Trump tha se ka menduar se një marrëveshje me Rusinë ka qenë pranë përfundimit “katër herë të ndryshme”.
I pyetur nëse ka përfunduar çdo bashkëpunim me presidentin rus, Trump u shpreh: “Jam i zhgënjyer me Putinin, por nuk kam hequr dorë përfundimisht prej tij. Por po, jam i zhgënjyer.”
Kur u pyet se si synon ta ndalë gjakderdhjen në Ukrainë, presidenti u përgjigj: “Po punojmë për këtë.” Ai shtoi me sarkazëm: “Do të kemi një bisedë të mirë, do të them: ‘Mendoj se jemi afër marrëveshjes,’ dhe pastaj ai shemb një godinë në Kiev.”
