UNICEF-i ka nisur një apel të ri global humanitar për vitin 2026, duke paralajmëruar se 73 milionë fëmijë në 133 vende kanë nevojë urgjente për ndërhyrje shpëtimtare. Organizata thekson se deri në fund të vitit 2026, mbi 200 milionë fëmijë do të jenë të varur nga ndihma humanitare, për shkak të konflikteve, fatkeqësive natyrore, zhvendosjeve masive dhe krizave ekonomike.
Sipas Apelit për Veprimin Humanitar për Fëmijët (HAC 2026), UNICEF kërkon 7.66 miliardë dollarë për të mbështetur fëmijët e prekur, përfshirë 37 milionë vajza dhe mbi 9 milionë fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Në të gjithë botën, fëmijët e kapur në konflikt, fatkeqësi, zhvendosje dhe trazira ekonomike vazhdojnë të përballen me sfida të jashtëzakonshme. Jeta e tyre po formësohet nga forca shumë përtej kontrollit të tyre: dhuna, kërcënimi i urisë, intensifikimi i goditjeve klimatike dhe kolapsi i shërbimeve thelbësore”, deklaroi Catherine Russell, Drejtoreshë Ekzekutive e UNICEF-it.
UNICEF paralajmëron se një mungesë e rëndë financimi po rrezikon programet më të rëndësishme të ndihmës. Vetëm në vitin 2025, një boshllëk prej 72 për qind në financimin e programeve të të ushqyerit ka detyruar organizatën të shkurtojë shërbimet në 20 vende prioritare, duke ulur numrin e përfituesve nga mbi 42 milionë në rreth 27 milionë gra dhe fëmijë.
Në sektorin e arsimit, mungesa prej 745 milionë dollarësh ka lënë miliona fëmijë në rrezik të humbjes së aksesit në shkollim, mbrojtje dhe stabilitet emocional.
“Boshllëku kritik i financimit po i tendos programet shpëtimtare të UNICEF-it”, tha Russell, duke theksuar se ekipet në terren po përballen me “vendime të pamundura”, si kufizimi i shërbimeve ose reduktimi i ndërhyrjeve nga të cilat varet mbijetesa e fëmijëve.
