United bën “djallin” në Evropa League, me ekipin e Amorim që kualifikohet me spektakël në finalen e madhe. Më në fund, tifozët e United kanë një arsye të fortë për të festuar, në “Old Trafford” u argëtuan pafund pasi Amorim kishte hedhur në fushë “artilerinë e rëndë” edhe pse kishin fituar sfidën e parë në Spanjë me rezultatin e pastër 3-0.

Në fakt, Bilbao krijoi iluzionin se mund të bezdiste disi United pasi kaluan në avantazh në minutën e 31-të me një super gol. Në fraksionin e dytë, Amorim hodhi në fushë Mount, me mesfushorin anglez që u rikthye në protagonist absolut. Në minutën e 72-të, me një trajektore perfekte barazoi shifrat në 1-1. Tetë minuta më pas ishte Casemiro që me një goditje të saktë me kokë përmbysi rezultatin. “Djajtë e kuq” nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 85-të, Hojlund u shërbye pastër në zonë, ku me një prekje të lehtë dërgoi shifrat në 3-1. Për t’i bërë një mbyllje spektakolare këtij takimi mendoi sërish Mount i cili përfitoi nga një gafë e portierit të Bilbaos duke realizuar një super gol që solli festë në “Old Trafford”. Europa League kthehet në një bekim për United, por kjo ecuri nuk do të kishte asnjë vlerë nëse nuk fitojnë përballë Tottenham në finale, për këtë është i qartë edhe trajneri Amorim:

“Ishte një rezultat shumë i mirë. Nëse shohim dy ndeshje, ka qenë me e vështirë se sa tregon rezultati, por ne e merituam të ishim në finale. Mendoj se kjo finale është sfida më e rëndësishme për klubin, sfida më e rëndësishme që kur unë kam ardhur këtu. Ndjesia është se mund të bëjmë mirë, t’i japim diçka tifozëve tanë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se kjo ndeshja na dhuron një biletë për në Champions League sezonin e ardhshëm, ndjesia është se kjo finale mund të ndryshojë totalisht gjërat.

Tottenham ka fituar tre ndeshjet e fundit përballë United? Çdo ndeshje ka historinë e saj, kemi humbur 3 ndeshje, por mund të fitojmë të radhës”, u shpreh Amorim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb