Universiteti i Elbasanit me një histori të gjatë sidomos në fushën e arsimit dhe jo vetëm do të bashkonte të shkuarën dhe të ardhmen në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” gjatë kësaj fillimjave, në Ceremoninë e Diplomimit të Studentëve për vitin akademik 2018-2019.

Personalitete të fushës akademike, pedagogë, studentë e prindër, do të gjendeshin në të njëjtën sallën e tejmbushur me rreth 3500 të pranishëm për të përmbyllur me sukses, historinë e çdo studenti të diplomuar. Në fjalën përshëndetëse Rektori prof. dr. Skënder Topi u shpreh i impresionuar nga pjesëmarrja masive e studentëve, prindërve, personelit akademik, pushtetarëve vendorë dhe dashamirësve të këtij Universiteti. Rektori Skënder Topi ka falënderuar të pranishmit për konsideratën dhe vlerësimin që kanë për këtë institucion të arsimit të lartë në Shqipëri.

Në fjalën e tij Topi bëri një përshkrim të asaj që ai e cilësoi si “rrugëtim të shkëlqyer” duke synuar dhe realizuar mbështetjen e pakufishme për studentët dhe personelin. Prof. dr. Skënder Topi evidentoi hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit me në qendër studentin në çdo fakultet; ngritjen e strukturave si Këshillin Studentor, Këshillimin e Karrierës, njësimin e kurrikulave universitare me ato evropiane. Një tjetër element i rëndësishëm në fjalën e tij ishte edhe akreditimi i Universitetit të Elbasanit, specializimet e studentëve dhe personelit akademik në universitetet më të mira të botës, marrëveshjet e bashkëpunimit dhe ndërkombëtarizimi i Universitetit të Elbasanit, afrimi i programeve të studimit me tregjet e punës dhe punësimi i studentëve të sapodiplomuar etj. Rektori prof. Dr. Skender Topi e ka mbyllur fjalën me shprehjen e famshme të Xhon Dju: “Edukimi nuk është përgatitje për jetë; edukim është vetë jeta”.

Ndërsa Zëvendës rektori prof. as. dr. Peçi Naqellari u shpreh në fjalën e tij se “sot universiteti i Elbasanit është një universitet në shërbim të komunitetit, që e vë dijen dhe shkencën në funksion të integrimit dhe zhvillimit të vendit.

“Më tej ai evidentoi se, nëpërmjet një game të gjerë programesh studimi (rreth 100 programe), personeli akademik i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i angazhuar të përgatisë studentët të jenë reflektues përmes të mësuarit gjatë gjithë jetës. Nuk do të jetë hera e fundit që flasim e komunikojmë së bashku. Në UE ku ju u formuat do të gjeni kurdoherë bashkëpunëtorë, këshilltarë, mësues, kolegë ndonjëherë edhe oponentë. Ju mirëpresim gjithmonë mes nesh për të kontribuar së bashku edhe me realizimet dhe eksperiencat tuaja të reja në formimin sa më të lartë të brezave që vijnë pas jush si dhe në zhvillimet e ardhme të vendit, përfundoi zëvendës rektori prof. as. dr. Peç Naqellari

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili u shpreh se, Universiteti i Elbasanit është një pasuri e çmuar për qytetin duke e kthyer atë në kryeqytetin e edukimit. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa, nënvizoi bashkëpunimin në nivel lokal duke e cilësuar atë si mjaft të suksesshëm. Deputetja e Elbasanit, zj. Evis Kushi, u shpreh se në këtë ceremoni përjetoi një emocion të dyfishtë, atë të deputetes, por mbi të gjitha atë si pjesëtare e personelit akademik të këtij Universiteti. Në emër të plejadës së vjetër të profesoratit përshëndet prof. dr. Ziso Thomollari. Ceremonia ka vijuar me përshëndetjen e dekanëve.

Më pas dekanët lexuan emrat e studentëve të shkëlqyer të cilët morën certifikatat me motivacionin “Për arritje të larta akademike”. Në fund, kjo ceremoni madhështore u mbyll me ritin e studentëve të diplomuar, hedhjen e kapeleve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb