NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Universiteti i Mjekësisë Tiranë ka ndryshuar vendimin për kriteret e pranimit për vitin e ri akademik 2015-2016. Në vendimin e mëparshëm, senati akademik i UMT-së, në grupimin e lëndëve formuese kishte përfshirë 5 lëndë, Kimi, Biologji, Fizikë, Sociologji dhe Filozofi, ndërkohë që në vendimin e ri ka lënë vetëm tri lëndë formuese, Kimi, Biologji, Fizikë, të cilat i vlerëson me të njëjtën peshë, me 10%.

Pjesa tjetër e vendimit të Senatit të UMT-së mbetet e pandryshuar, pra 35% të pikëve kandidatët i marrin nga nota mesatare e tri viteve të gjimnazit, 35% nga nota mesatare e provimeve të Maturës Shtetërore dhe 30% nga lëndët formuese. Po ashtu në vendim përcaktohet se kriter për aplikimin në katër fakultetet e këtij universiteti është nota mesatare, e cila varion nga 8 deri në 8.5. Duke qenë se maturantët kanë nisur plotësimin e Formularit A1 në shkollë, për përzgjedhjen e dy lëndëve me zgjedhje, duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e tyre.

Pra lëndët formuese që UMT-ja u ka dhënë, 30% në total, pra Kimi, Biologji, Fizikë, kandidatët nuk kanë përse t’i zgjedhin si provim me zgjedhje nëse nuk janë të bindur se do të marrin notë maksimale. Sipas ekspertit të arsimit, Fatmir Vejsiu, maturanti duhet të zgjedhë lëndët në të cilat ka bindjen se do marrë rezultatet më të larta, pasi në këtë maturë dalëse, nuk ka rëndësi lënda që zgjedh një kandidat, por nota që ai merr.

Mjekësia & kriteret
Senati Akademik në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, në datën 28 janar 2016 ka miratuar kriteret e pranimit të studentëve, kritere të cilat i ka ndryshuar në një vendim të dytë të marrë në datën 8.3.2016. Në vendimin e ndryshuar të muajit mars, Senati ka reduktuar vetëm lëndët formuese, nga pesë ka lënë vetëm tri lëndë, ndërsa kriteret e tjera janë të pandryshuara me vendimin e mëparshëm. Sipas vendimit të ri të Senatit Akademik të UMT-së, kriteret e pranimit të studentëve në ciklin e parë (Bachelor) dhe në ciklin e dytë të integruar në Universitetin e Mjekësisë Tiranë janë: nota mesatare e Maturës Shtetërore 35%; nota mesatare e 3 (tri) viteve të shkollës së mesme 35%; lëndët formuese 30%.

Lëndët formuese që preferon Universiteti i Mjekësisë në vendimin e ndryshuar të muajit mars, janë 3 dhe jo 5: Kimi 10%, Biologji 10% dhe Fizikë 10%. Veç kritereve të sipërpërmendura, maturantët që do të aplikojnë në programet e studimit të ciklit të parë dhe ciklit të dytë të integruar në Universitetin e Mjekësisë, duhet të plotësojnë patjetër kriterin e mesatares, e cila varion në bazë të fakulteteve. Fakulteti i Mjekësisë, ai i Stomatologjisë dhe i ai Farmacisë kanë si kriter notën mesatare 8.5, ndërsa fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, ku përfshihen profesionet e infermierisë, mamisë, teknik laboratori, logopedi dhe imazheri, e kanë pak më të ulët mesataren e aplikimit, pasi është 8.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: