Në kuadër të ditëve të këshillimit të karrierës, Universiteti “Luarasi” ka pritur maturantët e gjimnazit “Kristaq Rama”.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Sherif Bundo, dekani i Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit, Gentian Hoxhalli dhe zëvendës dekania e fakultetit të Drejtësisë, Blerina Shkurti, iu prezantuan të rinjve përparësitë e studimit te Universiteti “Luarasi”, duke i këshilluar edhe mbi si të marrin vendimet për të ardhmen e tyre.

Për Bundon, zgjedhja e tyre do të jetë vendimtare për atë që duan të arrijnë.
“Ata kanë mundësinë që me zgjedhjen që bëjnë, të marrin vendime me karakter racional për të plotësuar ëndrrën që kanë. Ata duhet të marrin informacione të ndryshme për vendimmarrjen e tyre, që të mos jetë emocionale. Zgjedhja e tyre ka të bëjë më të ardhmen, profilin dhe karakterin e tyre dhe me integritetin profesional”, tha dekani Sherif Bundo.

Universiteti “Luarasi”, lider në fushën e edukimit dhe me një sërë programesh konkurruese, ka lidhur marrëveshje ndërkombëtare që iu ofron të rinjve diploma evropiane duke studiuar në Tiranë.

“Kanë filluar prenotimet e vendeve në avancë për kuotat që ne kemi për programet e studimit të London School of Economics. Unë i ftova maturantët që kush ka mesatare të lartë, ata që janë maturantët elitarë, ta përzgjedhin, sepse me “Luarasin” përzgjedhin një shkollë me diplomë ndërkombëtare është me rëndësi. Ne si qendër ekselencë e London School of Economics në Ballkan, kemi programe studimi në gjuhën shqipe dhe angleze për degët e Financës dhe Administrimit të Biznesit”, tha Bundo.

Universiteti “Luarasi” mban vazhdimisht konferenca ndërkombëtare me profesionistë, nga universitete evropiane dhe britanike, sikundër edhe takime për këshillimin e karrierës, duke takuar mundësitë e mëdha me ëndrrat e mëdha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb