Prej disa ditësh, Kukësi është nën ndikimin e reshjeve të dendura të shiut dhe borës, të cilat po krijojnë vështirësi serioze për banorët e zonave malore. Situata është veçanërisht problematike në lagjen Gjuta, në fshatin Shtrezë të Njësisë Administrative Shishtavec, ku rreth 10 nxënës nuk po ndjekin mësimin.
Për të shkuar në shkollat e fshatrave Shishtavec dhe Novosej, ata duhet të ecin rreth 30 minuta në një rrugë malore. Përkeqësimi i situatës lidhet edhe me urën e drurit, të ndërtuar nga vetë banorët rreth një vit më parë. Ura është e amortizuar dhe e rrezikshme për kalim, sidomos gjatë reshjeve të borës, duke e bërë lëvizjen pothuajse të pamundur për nxënësit.
Banorët e lagjes Gjuta tregojnë se ura e drurit dhe rruga prej rreth 1 kilometri u shërbejnë afro 15 familjeve. Ata po përballen me këtë problem prej më shumë se një viti, dhe çdo herë që ka reshje të dendura, zona mbetet e izoluar, duke pamundësuar lidhjen me Kukësin dhe Shishtavecin.
Mujedin Gjuta, përfaqësues i lagjes, tha: “Situata është kritike çdo herë që bie shi apo borë. Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, ndërsa familjet mbeten të izoluara. Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga institucionet për ndërtimin e një ure të re.”.
Banorët theksojnë se një urë e re do të garantonte siguri dhe akses normal për fëmijët dhe të gjithë familjet e lagjes. Lagjja Gjuta ndodhet në një zonë të thellë malore dhe çdo vit përballet me problematika të ngjashme gjatë sezonit të reshjeve, duke e bërë ndërhyrjen urgjente një nevojë të pashmangshme.
