Nga OLA MITRE*

Vlerësimi i njohurive dhe aftësive praktike për të gjithë personelin infermieror, që ushtrojnë profesionin e tyre në sistemin shëndetësor publik, të punësuar në shërbimin spitalor universitar, rajonal dhe në shërbimin parësor do të kryhet çdo 2 vjet”. Gjithçka përcaktohet në rregulloren e nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bazë të së cilës do të zhvillohet dhe testimi kombëtar i këtyre profesionistëve të shëndetësisë. Po ashtu, dokumenti, të cilin “Gazeta Shqiptare” e disponon, saktëson se vlerësimi i njohurive të infermierëve të punësuar në shërbimin spitalor do të kryhet në 2 faza: vlerësimi i njohurive bazë dhe vlerësimi për njohuritë sipas specialiteteve ku personi është i punësuar. Ndërkohë që, midis 2 fazave të vlerësimit duhet të ketë një interval kohe me të paktën 30 ditë. Sa u takon infermierëve që ushtrojnë profesionin në shërbimin parësor, testimi i tyre do të kryhet mbi njohuritë që duhet të kenë në bazë të shërbimeve që përfshihen në Paketën Bazë të Kujdesit Shëndetësor Parësor.

DATAT E TESTIMIT

Personeli infermieror, i punësuar në shërbimin spitalor universitar:
28 shkurt 2015
1 mars 2015

Personeli infermieror, i punësuar në shërbimin spitalor rajonal:
6 mars 2015

Personeli infermieror, i punësuar në shërbimin spitalor bashkiak:
20 mars 2015
21 mars 2015

Testimi i infermierëve të spitaleve do bëhet në 2 faza:

1- Vlerësim i njohurive bazë
2- Vlerësim i njohuritë sipas specialiteteve ku personi është i punësuar

Midis 2 fazave të vlerësimit duhet të ketë një interval kohe me të paktën 30 ditë

Vëzhgimi i procesit
Personeli infermieror që do t’i nënshtrohet vlerësimit të njohurive duhet të paraqitet në datën dhe vendin e caktuar me dokumentin e identifikimit dhe lejen për të drejtën e ushtrimit të profesionit, lëshuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë. Ndërkohë që, në rast se për arsye të rëndësishme, shëndetësore apo personale, të vërtetuara, personi nuk paraqitet në datën dhe vendin e caktuar për kryerjen e procesit të vlerësimit të njohurive, ai i nënshtrohet vlerësimit në një datë të ardhshme, por jo më vonë se 30 ditë. Ndërkohë që, sa i takon procesit të testimit, rregullorja saktëson se përgjegjëse është Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse si dhe struktura e burimeve njerëzore të institucionit të kujdesit shëndetësor. Por, do të jetë titullari i institucionit të kujdesit shëndetësor që do të përcaktojë personat përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e tij. Sipas dokumentit, për çdo 20 pjesëmarrës në testim, caktohet një person përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit.

Testimi
Ndërkaq, nga testimi i infermierëve të sistemit spitalor do të përjashtohen tri kategori të veçanta, e më konkretisht: infermieret femra, të lindura përpara datës 1 janar 1958, infermierët meshkuj të lindur përpara datës 1 janar 1953 si dhe personeli infermieror, që është licencuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014. Ndërkohë që, sipas urdhrit të ministrit, me numër 79, datë 12 shkurt 2015, personeli infermieror, i punësuar në shërbimin spitalor universitar, do të testohet në datat 28 shkurt dhe 1 mars 2015. Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor rajonal, procesi i vlerësimit do të kryhet në datën 6 mars 2015, ndërsa për të punësuarit në shërbimin spitalor bashkiak, procesi do të kryhet në datat 20 dhe 21 mars 2015.

Pyetjet
Ministria e Shëndetësisë tashmë ka publikuar dhe fondin e pyetjeve për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të personelit infermieror në kujdesin shëndetësor. Ato janë të ndara në 16 kategori të ndryshme, e më konkretisht: Aparati lokomotor, dekubituset, eliminimi, etika dhe komunikimi, gjumi dhe pushimi, infeksionet spitalore, lëngjet dhe elektrolitet, medikamentet, menaxhimi i dhimbjes, oksigjenimi, shenjat vitale – Siguria e pacientit, stresi, testet diagnostike, urgjenca, ushqyerja dhe higjiena e të tjera. Ndërkaq, në hyrje të rregullores, saktësohet se vlerësimi ka për qëllim identifikimin e boshllëqeve, mangësive në njohuri, aftësi dhe shprehi praktike, të domosdoshme për përmbushjen e detyrave sipas përshkrimit të punës dhe ofrimin e shërbimit në plotësim të nevojave të pacientit, në mënyrë që këto mangësi të adresohen nga aktivitetet edukuese dhe të zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb