Gazetari Erl Murati kritikoi në studion e News24 kërkesën e kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e 132 drejtuesve të institucioneve, duke e cilësuar një përpjekje për të mbrojtur pushtetin e tij përballë protestave.
Sipas Muratit, drejtuesit e administratës duhet të vlerësohen për performancën dhe jo të largohen masivisht për shkak se kryeministrit i rrezikohet qëndrimi në pushtet. Ai e konsideroi këtë lëvizje të dëmshme për vijimësinë e punës së shtetit, ndërsa theksoi se reagimi i Ramës ndaj protestuesve ka qenë represiv dhe denigrues.
Duke u ndalur te protesta kombëtare që pritet të mbahet sot, Murati e cilësoi tubimin një test për vijimësinë e lëvizjes. Sipas tij, pjesëmarrja ka rënë gjatë ditëve të fundit, ndërsa studentët dhe të rinjtë kanë kaluar në rresht të dytë pas përfshirjes së pedagogëve. Murati e konsideroi protestën e sotme pjesë të lëvizjes katërmujore të “flamingove”.
“Me daljen e pedagogëve, pjesëmarrja në protestë ka rënë. S’mund të them se kanë gabuar pedagogët që protestuan. Nuk mendoj se pedagogët i kanë përzënë studentët, por ka ndodhur fenomeni që numrat u ulën. Studentët dhe rinia kanë kaluar në rresht të dytë. Dita e sotme është test se si do të shkojë protesta në vijimësi. Protesta e dy javëve të fundit nuk ka qenë paqësore, ka qenë ndryshe nga ajo e “flamingove”. Protesta e të rinjve sot është pjesë e atij revolucioni katërmujor. Ditën kur Rama njoftoi shpërblimin me 2500 euro për policët, pati dhunë të shtuar ndaj protestuesve. Sjellja e kryeministrit ka qenë denigruese ndaj protestuesve, duke i etiketuar si “vandalë, njerëz të ardhur nga periferia!”. Historia ka treguar se një udhëheqës nuk mund ta mbajë pushtetin me forcë dhe dhunë. Mund të ketë ndodhur në diktaturë, por ky sistem ka rënë. Është ushtruar dhunë fizike, verbale ndaj të rinjve. Shumë prindër janë kërcënuar. Ka masa represive dhe jo reflektim nga kryeministri. Paradoksi i Ramës është ky! Në asnjë vend të BE-së nuk ngrihet kryeministri që të thotë: “Jepni ju drejtorët dorëheqjen, se mua më rrezikohet pushteti”. Ky është paradoks. Çdo drejtor dhe nëpunës i administratës publike vlerësohet sipas performancës. Nuk ka pse t’u pritet koka. Kjo ndodh se është e thjeshtë: Rama ecën me parimin “ndrysho gjithçka për të mos ndryshuar asgjë”. Ai ka zëvendëskryeministra në kërkim dhe ministra të akuzuar, por vetëm kryeministri të mos lëvizë nga pushteti. Këto lëvizje në institucione bëhen për të shpëtuar lëkurën e tij. Ky është skandal, që t’u kërkosh dorëheqje masive drejtorëve se ti ke tekë dhe do të ndryshosh shtetin. Madje, kjo është e dëmshme për shtetin, pasi administrata kërkon vijimësi. Një pjesë e tyre janë objekt i punës së SPAK-ut, por disa mund të kenë të dhëna të mira administrative.”, tha ai.
