Barush Bregu i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i Ragip Gilës në masakrën e Shkodrës, ku u vranë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë i shpëtoi sërish policisë. Pasditen e 9 marsit, teksa lëvizte me makinë, së bashku me 43-vjeçarin Ervis Baba dhe një 17-vjeçar në lagjen “Gurrile” të Shkodrës nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por vijuan lëvizjen duke rritur shpejtësinë dhe duke kryer manovra të rrezikshme.

Gjatë ndjekjes nga uniformat blu, 40-vjeçari Barush Bregu zbriti nga automjeti qëlloi me armë zjarri në ajër dhe më pas u largua me vrap, ndërsa dy të tjerët u arrestuan
nga policia.

Policia e Shkodrës bën të ditur se arma e zjarrit që dyshohet se u përdor nga 40-vjeçari Barush Bregu u sekuestrua, bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin 3 personat po lëviznin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Barush alias Bajram Bregu, i cili në shtator të 2025 u shpall në kërkim si bashkëpunëtor i Ragip Gilës, që vrau Armando Palin dhe Liridon Krajën, si dhe plagosi Erogen Vason alias Bajroviç dhe kamerieren Meri Kacerri, njihet për lidhjen e fortë me Ibrahim Licin, një prej njerëzve me të shumëkërkuar në vend, kundërshtar i përbetuar i grupit kriminal Bajri.

Për rrjedhojë, ndaj Barush Bregut rëndojnë edhe akuzat “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhje”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb