Ushtria franceze ka arrestuar dy persona në një cisternë nafte e cila ka sipas burimeve lidhje me Rusinë dhe dyshohet për përfshirje në lëshimin e dronëve në Danimarkë dhe vende të tjera.
Cisterna Boracay, pjesë e të ashtuquajturit “flotë hije” e Moskës, akuzohet për përfshirje në incidente me dronë që çuan në mbylljen e aeroporteve në Danimarkë, duke shkaktuar alarm në të gjithë Evropën. Ajo po hetohet me dyshimin se ka mundësuar lëshimin e dronëve (UAV), duke nxitur shqetësimet për një “luftë hibride” në zhvillim në kontinent.
Boracay, me flamurit të Beninit, u ndalua ditën e dielën nga një anije luftarake franceze ndërsa transportonte 750.000 fuçi nafte të papërpunuar nga porti rus i Primorsk, afër Shën Petersburgut, me destinacion Indinë.
Anija u shoqërua në portin Saint-Nazaire në Francën perëndimore, ku hetimet janë ende në vazhdim.
Sipas prokurorit publik të Brestit, Stephane Kellenberger, u arrestuan kapiteni dhe oficeri i parë i cisternës, pasi “dështuan të justifikonin kombësinë e anijes” dhe refuzuan të bashkëpunojnë me autoritetet, sipas The Guardian.
Prania e cisternës në Detin e Veriut përkoi me dy incidente hyrjeje të dronëve në hapësirën ajrore të Danimarkës, më 22 dhe 24 shtator, të cilat çuan në mbylljen e përkohshme të aeroporteve të Kopenhagës dhe Aalborgut, duke shkaktuar kaos në trafikun ajror.
Sipas ekspertëve, dronët ishin të mëdhenj, të aftë të lëshohen nga katapulta që mund të transportohen në anije tregtare.
Boracay, u vëzhgua pranë Danimarkës në atë periudhë dhe u përmend si një nga të paktat anije të lidhura me Rusinë që mund të qenë të përfshira.
Sipas burimeve, kjo nuk është një anije e zakonshme, ka ndryshuar shumë herë identitet dhe emër, është regjistruar në flota të ndryshme, çka e përfshin në “flotën hije” të Rusisë.
Ky term përdoret për dhjetëra anije me pronësi të paqartë dhe identitet mashtrues, që Moska i përdor për të transportuar naftë dhe mallra të tjera, me synimin për të shmangur sanksionet nga perëndimorët. Boracay është tashmë subjekt i sanksioneve ekonomike nga Britania dhe BE-ja.
