Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvden ka renditur sulmet me të cilat hstë përballur Kosova vitet e fundit nga Serbia.
Ai ka kujtuar sulmin në Banjskë, sjelljen e ushtrisë në kufi nga Serbia dhe sulmet në veri nga struktura të lidhura me Beogradin.
“Jemi përballur me provokime të vazhdueshme dhe sulme të Serbisë, që solli dy herë ushtrinë në kufi. Kishim dy sulme terroriste në Banjskë, si dhe në infrastrukturën kritike në kanalin Ibër-LIpenc. Kishim barikada, sulme ndaj institucioneve dhe KFOR, policisë, gazetarëve në veri të Kosovës, nga struktura kriminale të lidhura në Beogradin.
Ushtria e Kosovës është sot më e fortë se kurrë më parë”, tha ai.
Kurti është zotuar se nëse e fiton edhe një mandat të ri në pushtet, ai do t’i qaset dialogut me Serbinë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – në përputhje me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit, për të cilën palët janë pajtuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si raport bilateral i jashtëm, e kurrsesi ndërhyrje apo përzierje në çështjet e brendshme”, ka thënë Kurti.
Gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, mandatari Albin Kurti tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm, pasi që “bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Ai shtoi se investimet në mbrojtje do të bëhen përkrah angazhimit në aleancat me SHBA-në, BE-në e NATO-n.
Ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm, “do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, do të shtojmë numrin e ushtarëve e oficerëve” si dhe do të bëhet fabrika e municioneve dhe dronëve në Kosovë.
