E trishtë ishte historia e Xhuana Nikollajt, e reja që i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, ndërsa dyshohet se u dhunua nga ish-bashkëshorti i saj. Babai i 25-vjeçares nga Lezha, në një rrëfim të trishë për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24 të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, pohoi se nuk ishte në dijeni të faktit se vajza e tij dhunohej nga ish-partneri i saj. Mes pikëllimit të thellë, babai i vajzës tha se Xhuana ishte martuar në qershor të 2025-ës dhe ishte ndarë në janar me mirëkuptim.
Po ashtu ai pohoi se telefonatën e fundit vajza e kishte bërë me nënën e saj.
“Jemi të vdekur, vetëm marrim frymë. U zhvendos 3 muaj më parë në Tiranë. Lajmin na e dha vajza tjetër, se është në Tiranë. Nuk na ka thënë asgjë për dhunën, s’dinim asgjë. Me Eraldon u martua në qershor të vitit të kaluar. U divorcuan në janar. U ndanë pa ngatërresa, se nuk shkonin. Nuk jam në gjendje me fol, na falni. A do të ngjallet ajo?! Ia kemi lënë në dorë drejtësisë.”, tha ai.
MARTESA DHE DIVORCI
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi kishin kurorëzuar martesën e tyre në qershor të vitit 2025 dhe kishin nisur jetën së bashku në Lezhë. Por martesa e tyre zgjati vetëm tre muaj, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes çiftit, që përfunduan me divorc. Pas ndarjes, 25-vjeçarja u zhvendos në Tiranë për të jetuar me motrat e saj. Burime policore bëjnë me dije se më 9 mars, një ditë para ngjarjes tragjike, ish-bashkëshorti ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe kishte shkuar në banesën e saj në Tiranë. Dyshohet se mes tyre ka pasur një tjetër përballje, gjatë së cilës i riu mund ta ketë dhunuar. Në këqyrjen paraprake të trupit të pajetë janë konstatuar shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizin, i dyshuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”. Hetuesit po punojnë gjithashtu për të zbuluar edhe se si 25-vjeçarja arriti të sigurojë fostoksinën, një lëndë e rrezikshme dhe e ndaluar për përdorim të pakontrolluar.
