Australia tha se ka siguruar qasje në një vaksinë premtuese të koronavirusit dhe do të jetë në gjendje të ofrojë doza falas për të gjithë popullsinë e saj prej 25 milionë banorësh.

Vaksina po zhvillohet nga ndërmarrja farmaceutike AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it.

Nëse provat klinike janë të suksesshme, marrëveshja me AstraZeneca do të sigurojë “qasjen e hershme për çdo Australian”, tha kryeministri Scott Morrison.

Numri i vdekjeve në Australi nga koronavirusi qëndron në më shumë se 400.

Në fillim të këtij muaji, shteti i Victoria-s shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dhe vendosi masa të rrepta bllokimi pas rritjes të infeksioneve me koronavirus. Akoma ka më shumë se 7,000 raste aktive dhe mbetet shqetësimi më i madh i Australisë.

Vaksina e Oxford, AstraZeneca është një nga pesë kandidatët premtues për të arritur një fazë të përparuar të provave klinike, me vendet në mbarë botën që kërkojnë të sigurojnë furnizime për popullatën e tyre.

“Nëse kjo vaksinë rezulton e suksesshme, ne do të prodhojmë dhe furnizojmë vendin tonë dhe do ta bëjmë falas për 25 milionë Australianë,” tha Z. Morrison.

Kostoja e furnizimit të vaksinës për të gjithë popullatën ende nuk është fikse.  Australia gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 25 milion dollarë me Becton Dickinson, një kompani farmaceutike amerikane, për t’u furnizuar me 100 milionë gjilpëra dhe shiringa.

Marrëveshja me AstraZeneca është  e para që Australia ka nënshkruar.

 

A.Ago//BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb