Një valë e pazakontë të nxehti që ka përfshirë Franca gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar një rritje të konsiderueshme të vdekjeve, kryesisht në mesin e personave të moshuar. Sipas të dhënave të raportuara, rreth 85% e viktimave janë persona mbi 65 vjeç, me rastet më të shumta të regjistruara në rajonin Île-de-France, që përfshin edhe Parisin dhe zonat përreth.

Autoritetet shëndetësore dhe shërbimet funerale raportojnë se situata në disa qytete, përfshirë Paris, është përkeqësuar ndjeshëm, duke çuar në mbingarkesë të morgjeve dhe kapaciteteve të shërbimeve funerale. Sipas përfaqësuesve të sektorit, të gjitha shtëpitë funerale në Paris janë aktualisht të mbushura, ndërsa disa trupa po transferohen në zona të tjera për shkak të mungesës së hapësirës. Në disa raste, autoritetet po shqyrtojnë përdorimin e ambienteve shtesë ose kontejnerëve frigoriferikë, siç është bërë edhe gjatë pandemisë së COVID-19.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme franceze raporton se dhjetëra persona kanë humbur jetën edhe nga mbytjet në lumenj dhe liqene, kryesisht të rinj mes moshës 15 dhe 25 vjeç, shpesh në zona ku noti është i ndaluar.

Autoritetet kanë kufizuar gjithashtu një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive për shkak të temperaturave ekstreme që në disa rajone kanë kaluar mbi 40°C. Shërbimet e emergjencës dhe autoritetet e shëndetit publik kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj personave të izoluar dhe të moshuar, duke theksuar nevojën për solidaritet social gjatë periudhave të tilla ekstreme. Sipas parashikimeve, temperaturat kanë filluar të bien gradualisht, duke sjellë lehtësim pas disa ditësh të rënda për pjesën më të madhe të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: