Nëntëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën në Korenë e Jugut si pasojë e sëmundjeve të lidhura me temperaturat ekstreme, ndërsa vendi po përballet me një valë të zgjatur të të nxehtit. Sipas Qendrave Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga 15 maji deri më 3 gusht, gjithsej 2 021 persona kanë shfaqur probleme shëndetësore të shkaktuara nga nxehtësia, ndërsa 19 prej tyre kanë ndërruar jetë.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, e ka cilësuar situatën një “katastrofë kombëtare” dhe u ka kërkuar autoriteteve të rrisin masat mbështetëse për qytetarët e prekur nga vala e të nxehtit. Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Lee urdhëroi inspektimin e sistemeve energjetike, ndërsa kërkesa për përdorimin e kondicionerëve është rritur ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta.

“Një shqetësim edhe më i madh është se kushtet e pazakonta të motit e bëjnë shumë të mundshme që ngjarjet ekstreme të vazhdojnë për një kohë të gjatë”, deklaroi presidenti koreano-jugor, duke kërkuar një rishikim të sistemit të menaxhimit të emergjencave.


Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin daljet në orët e nxehta, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë sa më shumë ujë. Ndërkohë, Seuli ka caktuar rreth 4 mijë ambiente publike me ajër të kondicionuar si qendra ftohjeje për qytetarët.

Temperaturat kanë arritur nivele rekord në disa zona të vendit. Rekordi kombëtar u thye tre herë gjatë javës së kaluar, ndërsa në Yangsan, në juglindje të Koresë së Jugut, termometri shënoi 42.5 gradë Celsius – temperatura më e lartë e regjistruar në 122 vite matjesh meteorologjike.

Kryeqyteti Seul është vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për shkak të “valës së fortë të nxehtësisë”, me temperaturat që pritet të afrohen sërish pranë 40 gradëve Celsius. Në zonën metropolitane të Seulit jetojnë më shumë se 25 milionë njerëz, rreth gjysma e popullsisë së vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: