Artikulli është botuar si editorial tek Il Messaggero

Njëzet e pesë vjet më parë udhëtoja me një tren nga Mynihu drejt Bolonjës. Ishte një botë tjetër: celularët inteligjentë ende nuk ekzistonin, lajmet nuk mbërrinin në kohë reale dhe nuk ishim vazhdimisht të lidhur. Kur mbërrita në stacionin qendror të Bolonjës, u habita nga prania e madhe e forcave të rendit. Ishte e qartë se kishte ndodhur diçka e rëndë. Vetëm kur telefonova prindërit e mi në Berlin dhe dëgjova frikën në zërin e tyre, kuptova se gjatë atyre orëve ne udhëtim bota kishte ndryshuar.

Sot shënon 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, një tragjedi historike, pasojat e së cilës vazhdojnë të formësojnë peizazhin strategjik të shekullit tonë. Pamjet e asaj dite nuk janë zbehur aspak. Shembja e Kullave Binjake, civilët që vraponin për t’u shpëtuar rrugëve të Lower Manhattan-it, ekipet e shpëtimit që nxitonin drejt ndërtesave në flakë. Skena që tronditën jo vetëm Shtetet e Bashkuara te Amerikes, por mbarë botën. Pothuajse tre mijë njerëz, nga më shumë se nëntëdhjetë vende, humbën jetën, duke e bërë 11 shtatorin një nga sulmet terroriste më vdekjeprurëse të historisë bashkëkohore dhe një moment që shënoi një kthesë historike për një brez të tërë.

Screenshot
Screenshot

Ekuilibri i ri

Amerika kishte ndryshuar. Bota kishte ndryshuar. Një tragjedi e jashtëzakonshme njerëzore kishte ripërcaktuar kuptimin e sigurisë, perceptimin e rrezikut dhe vetë rolin e Shteteve të Bashkuara te Amerikes në skenën globale.11 shtatori, një tronditje e krahasueshme me Pearl Harbor-in, i dha fund ndjenjës së sigurisë ndërkombëtare të epokës pas Luftës së Ftohtë dhe i detyroi ShBA të rimendonin strategjitë e tyre. Instrumentet e sigurise dhe mbrojtjes tradicionale, të konceptuara për përballjen me shtete rivale, rezultuan të pamjaftueshme përballë rrjeteve terroriste transnacionale.

Ishte momenti percaktues i rikthimit te historisë. Konflikti ideologjik dhe konkurrenca gjeopolitike vetëm kishin ndryshuar formë, nuk ishin zhdukur, siç do ta tregonin në vitet që pasuan revizionizmi rus dhe ngritja e Kinës.

Pasojat ishin të menjëhershme dhe të thella. Për herë të parë dhe, deri më sot, per të vetmen herë, NATO aktivizoi Nenin 5 të Traktatit të Washingtonit dhe më pas mori drejtimin e misionit të saj më të gjatë ushtarak, në Afganistan. Në ShBA u krijua një arkitekturë e re e sigurisë së brendshme dhe nisi periudha e gjatë e luftës globale kundër terrorizmit. Përgjigjja e NATO-s ishte një shfaqje e fuqishme e solidaritetit transatlantik dhe rikonfirmoi një parim që mbetet thelbësor edhe sot: mbrojtja kolektive vazhdon të jetë themeli i sigurisë euroatlantike.

Dy dekadat e dominuara nga lufta kundër terrorizmit përkuan gjithashtu me një periudhë gjatë së cilës konkurrenca në rritje me Rusinë dhe Kinën u nënvlerësua. Ndërkohë, koncepti i sigurisë kombëtare u zgjerua, duke përfshirë ekonominë, teknologjinë, sigurinë kibernetike, energjinë dhe zinxhirët e furnizimit. Kështu, epoka e kundërterrorizmit ia la vendin asaj të konkurrencës mes fuqive të mëdha, dhe rivalitetit ekonomik dhe teknologjik.

Besimi qe mbizoteronte ne vitet ‘90, tek epërsia ushtarake dhe te globalizimi si garanci të sigurisë i ka lënë vendin një doktrine të mbështetur te parandalimi, qëndrueshmëria dhe vigjilenca strategjike. Vetë globalizimi, nga një motor i rritjes ekonomike, është shndërruar edhe në një burim cenueshmërie. Në të njëjtën kohë, kufiri mes sigurisë së brendshme dhe asaj ndërkombëtare është bërë gjithnjë e më i zbehtë. Sulmet kibernetike, dezinformimi, pandemitë, migracioni dhe krizat e zinxhirëve të furnizimit tregojnë se sa të ndërlidhura janë kërcënimet e sotme.

Për më tepër, që prej 11 shtatorit, perceptimi i kërcënimit dhe i pasigurisë është rrënjosur thellë në diskursin publik. Me përhapjen e mediave sociale dhe logjikën e algoritmeve, frika dhe pasiguria janë shndërruar gjithashtu në instrumente të mobilizimit politik, dezinformimit dhe përçarjes.

Trashëgimia

Në këtë ekosistem të ri informativ, brezat e rinj e njohin 11 shtatorin kryesisht përmes pamjeve arkivore dhe përmbajtjeve digitale. Por kalimi nga kujtesa te historia nuk duhet të rrezikoje të humbasë kuptimin. Ajo ditë, njëzet e pesë vjet më parë, i detyroi Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe aleatët e tyre të rishqyrtonin vetë konceptin e sigurisë dhe çmimin e nevojshëm për ta mbrojtur atë.

Njëzet e pesë vjet më parë hipa në një tren në Mynih, në një botë, dhe mbërrita në Bologna, në një tjetër. Nuk kishte telefona inteligjentë dhe as përditësime të vazhdueshme. Sot jemi të zhytur në informacion, por kjo nuk do të thotë se i kuptojmë më mirë rreziqet që na rrethojnë. Forca e shoqërive demokratike qëndron pikërisht në aftësinë për t’u përballur me kërcënime të reja përmes institucioneve të qëndrueshme, aleancave të besueshme dhe qëndrueshmërisë, pa hequr dorë nga vlerat që synojnë të mbrojnë. Ndoshta kjo është trashëgimia më e rëndësishme e 11 shtatorit.

Dhe, mbi të gjitha, Never Forget (të mos harrojmë kurrë!

Dr. Valbona Zeneli është eksperte e lartë e Atlantic Council, si edhe anëtare e Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP)!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb