Si të gjithë emigrantët e tjerë edhe unë kthehem me sebepe në vëndlindje. Herën e fundit përveç se kishja përvjetorin e vdekjes së nënës dhe duhej të shihja babanë e sëmurë, doja të bëja dhe letrat e pensionit të pleqërisë. Plus këtyre kishja dhe ca sherre pronash për të sqaruar…
Shtëpinë nuk e kishja më, tek të mijtë nuk doja të rrija e ti bezdisja dhe kështu që zgjodha të rrija në një nga hotelet e qytetit. Vetë qyteti ka ndryshuar shumë dhe shokë nuk kishja më – ca kishin ikur e ca kishin vdekur- ndërsa në rrugë rrallë njihja njeri. Por dhe kur ndodhte, bisedat nuk ecnin dhe nxitonim të ndaheshin e të iknim seicili në punë të vet. Vitet e shumta kishin krijuar boshllëqe që as mbusheshin e as kaloheshin dot.
Ditët ikën, nëna sigurisht që nuk u ngrit dot nga varri të shihte djalin që i erdhi nga Amerika, as babai nuk u bë më mirë, as sherret e pronave nuk i zgjidha dot dhe as pensionin nuk ma dhanë. Ata të pensionit më dërguan një shkresë pa datë, pa numur protokolli dhe me plot gabime ortografike, të firmosur nga një drejtor me facebook me ngjyrë partie, ku më thonin se nga 15 vjet vjetërsi pune të nevojshme për tu kualifikuar unë kisha vetëm vetëm 14 vjet e 7 muaj dhe si i tillë nuk më takonte pension pleqërije. E dija se kishja mbi 20 vjet vjetërsi reale pune dhe për këtë kishja dëshmitarë të gjithë të njohurit e jetës time, mbase disa dhjetra mijëra a më shumë, por të zbardhje të drejtën tënde duke kërkuar në kapulin e përbindëshëm të rrëmujës së tefterëve të shtetit, dhe kjo kur vetë shteti e kish detyrë me ligj këtë punë, mu duk e pamundur dhe vendosa që ta harroja pensionin….

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Poshtë hotelit ku rrija ishte një kafene, pronari i të cilës ishte djali i një shokut tim të vjetër i cili kishte vite që nuk rronte më. Unë nuk jam i kafeneve por ngaqë më duhej një vend ku të takoja njjerëzit, ky ishte i vetmi lokal ku qëndroja nganjëherë por dhe atëhere, pothuaj gjithmonë i shoqëruar nga Aldo, nipi im. Shpesh në tavolinën tonë vinte dhe na bënte shoqëri dhe i zoti i kafenesë i cili përveç dashamirësisë e respektit që tregonte më informonte dhe për shokët e miqtë e përbashkët si dhe të rejat e qytetit.
Duke shkuar disa herë atje, më kish rënë në sy se lokali i tij preferohej dhe nga nja dy a tre ish gango të kohës së hershme, tani të plakur e të lodhur por që akoma si dikur e një kohë, vazhdonin të visheshin me golfe e pantallona kauboj. I njihte i gjithë qyteti, qenë të vrazhdë dhe të palexuar dhe përveç ndonjë rroge si roje ose si bodyguardë drejtorësh në ndonjë ndërmarrjeje shteti, ku firmosnin pa punuar as dhe një orë, tjetër lek nuk hynte në xhepat e tyre.
-Më largojnë klientët- mu ankua djali i mikut tim kur e pyeta. -Rrinë këtu me orë të tëra e bëhen të bezdisur.
Dhe atë ditë po njëlloj. U ulën dhe nuk zgjati e në tavolinën e tyre filluan të ngrihen zërat. Gangot kritikonin qeverinë dhe filluan të shpalosin idetë e tyre për rregullimin e shtetit.
-Ikim Xha? – thotë Aldo duke parë nga unë.
Çohemi por unë jam aq i mërzitur sa nuk më shkohet asgjëkundi.
-Je, mërzitë Xha? – pyet Aldo që nuk më shqitet.
Nuk më vjen të përgjigjem…
-A ikim në Valbonë?
Aldo e njihte dobësinë time.
-Ikim – i them.
Dhe në më pak se një orë qe zënë hoteli dhe qemë nisur.. Unë, im vëlla, gratë tona dhe Aldo shofer e guidë…
…………………
Shumë nga ju të moshës time, besoj se e kujtoni filmin “Heidi” me atë vajzën e vogël dhe jetime që rronte me gjyshin e saj në Alpet e Zvicrës.
Mbase e mbani mënd dhe atë serialin e animuar e me të njëjtin emër të cilin e transmetonin stacionet e RAI-t në fillim vitet 80 dhe që megjithëse kanë kaluar kaq shumë vite unë që akoma kam mall për të, kujtoj atë këngën sigël “Heidi.. Heidi!” të muzikuar aq bukur me ngjyrën e folkut alpin.
Në vëndin ku rroj nuk ka male dhe mua siç edhe Heidit, më mungojnë shumë malet. Navigoj shpesh në internet dhe gjithmonë ëndërroj për male.
Deri jo shumë kohë më parë, vizitoja dhe një faqe interneti e cila trajtonte problematikën e turizmit në Alpet shqiptare. Faqja quhej “Journey to Valbona” dhe qe krijuar nga një vajzë amerikane që kish lënë Nju Jorkun për Valbonën. Emri i saj qe Catherine Bohn por në mëndjen time ajo vinte si Heidi e dikurshme e filmit, por tashti e rritur e serioze. Por kohët e fundit faqja nuk hapej më dhe kërkimi im në internet për të reja rreth Cath, vinte pa përgjigje.
………………………
Aldo eci shpejt dhe për punë dy orësh a më pak ishim në Vaun e Dejës. Nuk kishja qenë kurrë por dija se qyteti i sotëm është pas ardhësi i qytetit të dikurshëm të Dejës, që nuk e di se përse njihej edhe me emrin Danja. Përveç se vëndi i njërit nga hidrocentralet më të mëdhenj të vëndit, ky është dhe vëndi ku mua më përzjeheshin historitë e Balshajve, Zahariajve dhe Dukagjinëve të cilët jetonin në Sardë një qytet tjetër i hershëm jo larg nga këtu, disa mbetje të të cilit gjënden sot në ishullin Shurdhah brënda liqenit të Vaut të Dejës.
Duke e ditur nga leximet se eshtrat e Lekë Zaharisë gjëndeshin diku në nëntokën e Kishës së Shën Marisë, pyeta Aldon në se e dinte se ku mund të ndodhej ajo kishë.
-Ja! – tha Aldo dhe tregoi me dorë një kishë që ishte në anë të rrugës ku po kalonim ne…
Rruga Vau i Dejës – Koman gjarpëronte në gjithë gjatësinë e saj përfund shpateve të gjelbëruara duke ndjekur bregun jugor të liqenit, por si shumica e rrugëve të kohës së saj edhe ajo ishte e ngushtë, jo fort e mirëmbajtur, pa barriera anësore dhe me mungesa të theksuara të sinjalistikës.
Pak mbi Vaun e Dejës, Aldo na ktheu për një kafe në një Bar – Restorant i cili gjëndej në një vend shumë skenik në breg të liqenit. Quhej Perla, dhe në parkingun e tij të rrethuar nga një pyll drurësh të rrallë lisash, përveç makinave të vogla kishin parkuar dhe ca autobuzë që transportonin turistë të huaj për në veri. U gëzova kur pashë grupe turistësh por dhe u mërzita kur dëgjova që disa prej tyre që kishin futur në mes një nga giudat po i ankoheshin në anglisht duke thënë se lokali kishte vetëm një banjo dhe se të shponte hundët era e urinës…
-A u lodhët? – pyeti kamarieri, që erdhi për të marrë porosinë.
Pak – përgjigjem unë. – Kjo rruga sikur të qe një çikë më e mirë.
-Harroje rrugën! – replikoi kamarieri sikur të më gjuante me breshëri. – Nuk na don qeverija ne mor zotni. Nuk jena komunista na. – dhe pasi i dha një leckë me një të rrotulluar të krahut tavolinës, iku të binte porosinë.
Nuk fola. Gjykuar nga pamja ai ishte diku midis 20 dhe 25 vjeç, dhe mua mu kujtua Hiro Onoda, nëntogeri japonez i cili nuk e kish marrë vesh se lufta kishte mbaruar as pas 30 e ca vjetësh.
..Aldua e njihte zonën dhe rrugës na tregonte për gjërat që dinte ndërsa unë me ndihmën e Google Map mundohesha të identifikoja vënde për të cilat kishja dëgjuar. Midis atyre që kujtoj se pamë qe dhe ishulli i Shurdhahut ku gjëndeshin mbetjet e Sardës, lumi dhe ura e Gomsiqes, një minierë e braktisur bakri, një fermë peshku në liqen, pastaj, dhe ca vënde apo biznese me emra anglezë siç qe Agora Farmhouse, Ledis Place e ndonjë tjetër. Dhe ndërsa horizontet mbylleshin nga të gjitha anët nga male të panjohura, tek tuk anës rrugës, dukej dhe ndonjë shtëpi e vetmuar që në hapësirën e pamatë e të pa banuar së zonës të krijonte një ndjenjë ndjellëse ngrohtësije e mikpritje.
Dhe kështu duke shijuar bukurinë e rrugës e duke ndërruar dhe ndonjë bisedë të rastit mbërritëm tek diga e Komanit në anën tjetër të së cilës, priste trageti që do na çonte në Barjam Curr.
Poshtë digës, larg nga vëndi ku do hipnim në traget ca njerëz kishin zënë rrugën dhe ndalonin makinat që nxitonin për tek trageti.
-Mbaje maqinën! – gati na u hodh në xham duke klithur një nga ata -Kaloni këtej -dhe bëri me dorë nga një hapësirë si tip parkingu.
Mendova se po na grabisnin!
Ndërsa ne ngrimë, Aldo qetë – qetë uli xhamin dhe pasi foli me ta diçka që se dëgjova I panjohuri ju bëri shenjë shokëve që të hapnin rrugën.
-Janë të varkave xha! – shpjegoi Aldo – Zihen dhe i marrin turistat njëri tjetrit.
….
Kaluam nëpër një tunel të pa rregulluar që dukej si shpellë e vjetër dhe në një rrëmujë njerëzish e makinash dolëm atje ku ishte bregëzuar e priste trageti. Pak vënd, shumë njerëz, një traget që po ngarkonte, një tjetër që priste në radhë ndërsa në ujrat për rreth rrotulloheshin varka të ulta e të shëmtuara që dukeshin si kajakë indigjenësh të vëndit ku rroja e për të cilat më thanë se ishin ato që çonin e binin turistë në Lumin e Shalës e destinacione të tjera të afërta.
Makina jonë qe e fundit që hipi në atë traget. Dhe ngaqë nuk kish më hapësirë, dy rrotat e mbrapme të saj ngelën jashtë bordit në portën e varur me zinxhirë të cilën e lanë të hapur. Thashë se do këputeshin zinxhirët e do ngeleshim pa makinë.
Kishja ardhur për natyrën dhe historinë por nuk do ti harroj dot grumbujt e mbetjeve dhe të shisheve plastike që shiheshin vënde vënde mbi sipërfaqen e liqenit dhe as terrorin e sekserëve të varkave mbi turistët dhe patjetër si një ish njeri i detit do të kujtoj dhe moszbatimin e rregullave bazike për sigurimin e jetës së pasagjerëve të tragetit, mungesën ose mosekspozimin e mjeteve të detyruara të shpëtimit, batërdinë e pijeve alkoolike në bord dhe muzikën-zhurmë që gjëmonte si një torturë në bordin e tragetit.
Për ndotjet duhej vetëm pak rregull dhe një varkë me një rrjetë që për dy apo tre orë punë sipërfaqa e ujit të ishte e pastër. Por nuk e di se kujt duhej ti shkonte mëndja për ti bërë këto gjëra.
Por ajo që kish më shumë rëndësi qe se e gjithë gryka e Drinit, veçanërisht pjesa e liqenit ishte vërtet një spektakël i jashtëzakonshëm i natyrës. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në Geirangerfjord të Norvergjisë për të cilin thonë se është fjordi më i bukur i botës, por kam harxhuar kohë e para për të vizituar shumë nga fjordet e Alaskës midis të cilëve dhe disa ndër më të njohurit e rrjetit prej mijra fjordesh të Misty Fjords National Monument në British Kolumbia. Është çështje shijesh që as nuk maten e as nuk krahasohen dhe mbase ndikon edhe fakti që ky është vëndi im, por megjithatë askund nuk gjeta më shumë se sa pashë e ndjeva duke lundruar nëpër liqenin e Komanit. Dhe për fat të mirë ndotjet me largimin nga diga, sa vinin e ishin gjithmonë e më të rralla dhe ujrat gjithmonë e më të pastra. Ngushtia e grykës, malet e larta që dukeshin si të përgjumura në nanuritjen e historisë së tyre miliona vjeçare, thyerjet e përbindëshme tektonike të relievit, shpatet e gjelbëra e të thikta që rrëzoheshin pingul që nga e blujta vezulluese e qiejve e deri në fundet e thellësive të frikëshme të liqenit e bënin atë vënd dramatikisht tërheqës. Tek tuk, mes shkrepave në muret e thepisura të luginës atje ku mëndja ta thosh se kishte vënd vetëm për folenë e shqiponjës, ti dallon i habitur dhe ndonjë çati shekullore që dhe mund ta mendosh si qelën e ndonjë heremiti të arratisur nga njerëzimi, por ja që syri të kap dhe nja dy mullarë që mezi duken, po atje një brezare e pjerrët që ngjan si një parcelë e mbjellë me miser, dhe ti shqyen sytë e habitesh se si mund të rrojnë njerëz në atë majë gërxhi, aq larg e pa komunikim me jetën urbane. Është shtëpi dhe jetojnë njerëz të mire e të gëzuar
Por unë e di se kjo që shohim është vetëm uvertura e asaj që do vijë më mbrapa. Me hartat e mjetet që kemi, mbase edhe duke ngatërruar ndonjë gjë, ne mundim që të identifikojmë disa vënde e male siç qenë parku arkeologjik i varreve në Kalanë e Dalmacës, përroi i Qelzës me Shpellën e Kaurrit ku thuhej se fshiheshin të krishterët për tu shpëtuar përndjekjeve turke për ndërrimin e fesë, Maja e Vopulës ku flitet për ekzistencën e një lloj piramide të çuditshme e akoma të pastudiuar, Kllogjeni, Lumi i Shalës, Lesniqja dhe Toplana në veri, Nikaj Mërturi mbi një shkrep të të cilit dukej që nga trageti një kryq i madh, Lumi i Mërturit, Lekbibaj dhe rruga e saj që gjarpëronte nëpër shkëmbijtë në anë të liqenit e të tjera.
Pas pothuaj rreth dy orë e gjysëm lundrim, pak minuta para se të bregëzoheshim, shoh zonën B, pjesë e kantierit të dikurshëm të ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës, që fillon e çfaqet ngadalë pas kthesës. Në mesin e viteve 70 kishja bërë në Fierzë stazhin e pas shkollës së mesme, një fakt ky që e quajtën të pa vërtetë ata të zyrës së pensioneve. Për aq sa mund të shoh që nga bordi i tragetit, shumë gjëra kanë ndryshuar por vëndi është po ai dhe ndërtesat në pjesën më të madhe të tyre duket se janë akoma po ato. Midis emra shokësh, vijnë ngjarje e objekte dhe midis tyre kujtoj dhe gazetën e përmuajshme “Drita e Drinit” redaktori i së cilës çoku botonte ndonjëherë dhe ndonjë nga shkrimet e mia skematike e naïve të asaj kohe.
…………….
Kalojmë në zona që i njoh por që kanë ndryshuar shumë. Edhe Barjam Curri më duket shumë i ndryshuar. Rreth 6 kilometra në verilindje të tij, pranë fshatit Shoshan, gjëndet Ura e Shtrejtit ku rruga për në Valbonë del në anën tjetër të lumit. Nën urë është një kanion i ngushtë e i thellë që përveç se çan më dysh fundin e gojës së luginës, ndan si me inat edhe masivin malor të Shkëlzenit nga ai malit të Hekurave në anën tjetër.
Ky është dhe vëndi ku rruga merr luginën për në Valbonë. Kushdi se sa shumë janë futur e kaluar këtu e janë habitur po kështu si edhe ne dhe kushedi sa kanë shkruar.
Më duket vetja milingonë para mureve të thikta përgjatë dy anëve të Grykës. Ndërsa lart pingul mbi kokat tona, majë-malet ngjyrë akulli që grisin të blujtën e thellë të qiejve më duken si dhëmbë nofullash titanike përbindëshash miliona vjet të vjetër. Efekti i lartësisë më kujton majat e Cuernos del Paine në Patagoni, në jugun e largët të planetit. Edhe shtëpitë e gurta të Dragobisë mu dukën të hirta e në ngjyrë akulli.
Gjatë gjithë rrugës nëpër luginë, në të majtën tonë, herë duke u fshehur e herë duke dalë, shkëlqen rrjedha e inatosur, blu-argjënd dhe e rrëmujshme e Valbonës, ujrat e të cilit, vrapojnë, plasen, kërcejnë e rrotullohen nëpër gurë ciklopikë me ngjyra malesh e vorbulla thithëse. I shoh dhe e di se poshtë tyre fshihen e përgjojnë troftat xanxare.
E tëra kjo më duket jo reale, si e shpikur, e ngjajshme me peisazhet e çmëndura të tipit deviantart me male të përbindëshme që ngjasojnë me fantazitë e skajshme të skenave të filmit “The Lord of the Rings”. Duke qenë se në mëndjen time rrotullohen këngët e Eposit të Kreshnikëve, unë gati kam harruar se po shkojmë në Valbonë dhe pothuaj natyrshëm pres që para nesh të çfaqet Jutbina e motmotëshme e eposit dhe në tabelat anës rrugës të lexoj se ku ndahet rruga për në Klladushë e ku për në Kotorret e Reja.
Ishja ndikuar që fëmijë nga “Tregimet e Moçme Shqiptare” të Kutelit, kishja lexuar më vonë dhe “Prillin e thyer” të Kadaresë por dhe materiale të tjera dhe kishja krijuar dhe një botë timen imagjinare për Bjeshkët e Namuna dhe Eposin e Kreshnikëve. Midis gjërave të tjera kishja lexuar dhe për Klysyrën, të cilën pavarësisht emrit në hartë e përpjekjeve tona nuk mundëm ta identifikojmë nëse është një fshat apo një grykë në jug të Dragobisë.
Klysyra kish ngelur në mëndjen time si vëndi ku gjëndeshin Lugjet e Verdha, vëndi ku Muji varrosi me duart e veta Omerin, djalin e tij të mitur, i cili u vra në luftë me armiqtë. Sipas eposit kur Ajkuna mori vesh lajmin vdekjen e djalit, doli e në kulm të dhimbjes vrapoi si erë drejt Lugjeve të Verdha. Eposi thotë se vaji i Ajkunës, ngriu yjet në qiell e ujin në gurra. Ajo mallkoi hënë e zogj se përse nuk e lajmëruan që të vinte e të futej në varr me djalin…
“- T’u shkimtë drita ty, moj hanë,
që s’ma çove kurrë nji fjalë,
n’Lugje t’Verdha, shpejt me dalë
bashkë me hy n’nji varr me djalë!”
……………
Kurrë k’tu qyqja mos këndoftë
As turreci mos u ndjeftë!…
Dhe megjithëse Lugjet e Verdha nuk janë identifikuar dot kurrë, njerëzit thonë se që atëhere askush në këto lugje e gryka nuk ka dëgjuar më këngë qyqeje e turreci.
………..
Fëmijët e vajzës time kanë gjakun e këtyre anëve. Origjina e afërt e dhëndërrit tim është nga Boga, një tjetër lug akullnajor i ngjajshëm me këtë të Valbonës, po këtu në Bjeshkët e Namuna. Djali i vajzës është akoma i vogël dhe nuk i kupton mirë gjërat por ngaqë i flas unë po ta pyesësh se nga është ai merr pamje serioze e mbase dhe pa e ditur tamam se çkuptim ka, të thotë se është nga Bjeshkët e Namuna.
..Po përse të namuna?! Kush i mallkoi dhe përse!? Çfarë gjëme ndodhi dhe çfarë faji patën bjeshkët?..
Askush nuk di të thotë saktësisht se nga vjen dhe sa i vjetër është ky emër që ju është ngjitur këtyre bjeshkëve. Nga fëmijëria mbaj mënd se në përrallat e nënës time kishte gjithmonë gjëra të mallkuara. Diku një shtëpi e mallkuar sepse një nga vajzat e asaj shtëpije kish lindur kuçedër që më vonë kishte ngrënë gjithë fshatin, kishte burim të mallkuar sepse atje pinte ujë e derdhte helm gjarpëri, kishte pyll të mallkuar sepse njerëzit që hynin atje ktheheshin në gurë, por nëna s’kish folur kurrë për male e bjeshkë të mallkuara. E para herë që e kishja ndeshur këtë emër qe po në atë kohë përrallash kur pothuaj akoma fëmijë lexova “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit. Ndërsa shumë më vonë e gjeta dhe tek “Prilli i thyer” i Kadaresë e të tjera.
Sot e di se në gjuhën e shkruar emri Bjeshkët e Namuna haset për herë të parë tek “Memoires geologiques et paleontologiques” – Paris, 1832, dhe “La Turquie d’Europe; Obsevations sur la geographie, la geologie, l’histoire naturelle, etc”. (Paris, 1840), -të dyja me autor shkencëtarin gjeolog francez Ami Boue. Ndërsa emërtimi serbisht “Prokletia” (Të mallkuarat), çfaqet gati 50 vjet më vonë dhe thuhet se është përkthim i emrit shqip.
Por prap origjina e emrit nuk sqarohet. Një legjendë vëndase, tregon për një nënë që në një kohë lufte mori dy fëmijët për ti shpëtuar nga armiku që po digjte fshatin dhe vrapoi drejt bjeshkëve. Sa më shumë ecnin, aq më shumë lartësoheshin bjeshkët e aq më e pamëshirëshme bëhej etja që po i përvëlonte nënë e fëmijë.
-Nanë, dua ujë – kërkonin fëmijët – Nanë, një pikë uji.
Bjeshkët ishin të thata e pa ujë dhe nëna nuk kish më as lotë për të njomur buzët e fëmijëve.
Në të fundit minutë, e dëshpëruar që fëmijët po i shuheshin para syve, nëna mallkoi bjeshkët e thata:
-Hej, moj bjeshkë, u djegshi e u thafshi! Flaka u daltë e u shitoftë reja! – dhe ra e vdiq mbi trupat e fëmijëve që ishin në çastet e fundit të agonisë…
Legjenda nuk thotë se ç’u bë me fëmijët por thotë se zjarri i mallkimit nuk i fali bjeshkët që u thanë e u dogjën dhe që atëhere ju ngeli dhe emri Bjeshkët e Namuna.
Një tjetër hamëndje, lidhet me luftrat pushtuese të serbëve kundër shqiptarëve. Ato male kishin qenë një barrierë natyrale gati e pamundur për tu kaluar nga pushtuesit serbë dhe kur gjeneralit që komandonte ushtrinë serbe i raportuan për humbjet e pallogaritëshme të ushtrisë së tij nëpër qafat e honet e llahtarshme me akull e borë të atyre bjeshkëve, ai klithi e mallkoi bjeshkët duke thënë: -Prokleta da si! (Qofshi të mallkuara!) gjë nga e cila thuhet se ngeli edhe emri serbisht “Prokletije”.
– Por asnjëra nuk bind dhe Bjeshkët vazhdojnë e quhen të Namuna.
…………..
Nipi kish zënë dy dhoma tek hotel Margjeka, ndoshta më i largëti në perëndim të fshatit, në shpatin e pjerrët pingul poshtë nën Majat e Zhaborres e të Grykave së Hapëta. Një hotel me mure guri e pamje vile, me kopësht djerrë e koshere bletësh prapa ndërtesës, rrethuar nga pyje të dëndura hormoqi e gurra uji të ftohta akull. Kish zgjedhur Margjekën sepse sipas tij ata që e kishin ndërtuar ishin djem vëndalinj që kishin lënë emigracionin në Gjermani e Zvicër e qenë kthyer të investojnë në vëndin e tyre.
Kur mbërritëm në Valbonë ishte vonë mbasdite dhe njerëzit që ishin me mua kishin uri dhe donin të hanin. Çuam bagazhet pamë dhomat dhe zbritëm në restorant. Thamë -dhe ashtu bëmë -që pas bukës të delnim e të shihnim nëpër Valbonë.
Mishi i pjekur i kecit qe pjata kryesore ndërsa midis pijeve unë zgjodha rakinë e kumbullës për të cilën më thanë se ishte prodhim i vëndit. Hëngrëm ngadalë dhe Aldo e im vëlla që kishin qenë dhe herë të tjera në Valbonë më tregonin për ato që kishin parë e që dinin nga vizitat e shkuara.
U err shpejt dhe nuk është se mundëm të shikonim shumë nëpër fshat. Kur u kthyem klientët e restorantit ishin rralluar dhe unë përfitova nga rasti që të bisedoja me djemtë e shërbimit.
Qenë djem shumë të edukuar që e donin shumë vëndin e tyre dhe që qenë të shqetësuar nga ndërtimet pa leje e hidrocentralet që po ndërtoheshin në Valbonë. Kur erdhi biseda rreth Eposit të Kreshnikëve kuptova se ata dinin shumë pak rreth asaj teme. Dhe për origjinën e njerëzve të zonës u mjaftuan me termin vëndalinj. Tek “The Tribes of Albania” kishja lexuar se Robert Elsie thoshte që banorët e brigjeve të Valbonës janë pasardhës të fiseve Krasniqi dhe Gashi. Dhe kjo mendoj se është e njëjta gjë me termin “vendalinj” që përdornin djemtë.
Ata më treguan se ballëpërballë nga ana tjetër e lumit ishte “Fusha e Gjës’” -hotel restoranti më i madh i zonës. Kish marrë emrin e fushës ku qe ndërtuar por ky emër pruri në mëndjen time Fushën e Bardhë nga Eposi i Kreshnikëve dhe pyeta në se e dinin se ku gjëndej ajo. Ata dinin plot emra malesh, bjeshkësh, qafash, shtigjesh e varresh por askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për ndonjë fushë me atë emër dhe po ashtu as për Lugjet e Verdha, Klysyrat e Zeza, Bjeshket e Nalta, Kroin e Bardhë e të tjera toponime që përmëndeshin në Eposin e Kreshnikëve.
……………
Dhomat e gjumit ishin të rehatëshme dhe komode, por për arsye që nuk i di ndjehesha i pa rehat dhe me një dhimbje koke që sa vinte e më shtohej. Në atë pak gjumë copa copa që fjeta pashë ëndërra pakuptim njëra nga të cilat qe sikur drejtori i pensioneve kishte hapur një zyrë tek hoteli “Fusha e Gjës” dhe jepte leje hidrocentralesh duke i vulosur me myhyr.
Mbase shkak ishte lartësija ku ndodheshim, a mbase rakia e kumbullës që kishja pirë darkën që shkoi. Durova deri në të gdhirë pastaj u lava u vesha e dola në kopështin djerr në perëndim të hotelit. Ishte freskët, në luginë kishte mjergull e aromë bredhash, ndërsa një draper i mprehtë hëne tymoste me një të verdhë të zbehtë majat dhe qiejt mbi luginën. U ula mbi një grumbull gurësh dhe kujtova që në përrallat e nënës time kishte gjithmonë kapule gurësh dhe hënë. Nga kapulet e gurëve të përrallave të nënës here dilnin papritur burra shtatëlartë me uniforma blu ose jeshile që kalëronin kuaj ngjyrë hëne që mezi dukeshin e herë plaka që tirrnin lesh me furka të cilat ktheheshin papritur në lope të egra.. Ishja në vëndin e Eposit të kreshnikëve dhe domosdo që mëndja do më shkonte tek zanat e malit që i dhanë fuqi Mujit e që nuk përfytyroheshin dot pa dritën e hënës dhe ujin e gurrave. Në epos thuhet se ato jetojnë larg syrit të njeriut, rreth gurrave ujë kristalta në bjeshkët e larta. Nga fëmijëria kujtoja kur njerëzit thonin se në filan pellg u gjet një krëhër e në atë tjetrin një copë sapuni dhe ne fëmijët kishim frikë e mendonim se netëve atje laheshin trashallkat, siç I thërrisnim ne zanat në vëndlindjen time.
Po vinte mëngjezi dhe qielli në lindje po bëhej gjithnjë e më i ndriçuar. Ngadalë rrezet e diellit filluan të preknin majat e maleve dhe ca prej tyre të gjenin hapësira e të rrëshqisnin përmes qafash e grykash duke krijuar breza thikë të pjerrët dritash e hijesh në mjergullat që rrinin varur nëpër grykat e muret e luginës. Në anë të kopshtit filluan të marrin formë drurët e kumbullave ndërsa majat në perëndim -më e larta e të cilave ishte Jezerca- filluan të bëheshin gjithnjë e më të bardha e fosforishente.
Kur drita u shtua, filluan të dukeshin kokrrat e kuqe e të verdha të kumbullave, ndërsa më poshtë atje ku mbaronte kopështi e rifillonte pylli, u çfaqën të radhitura njëzet a më shumë koshere të bardha bletësh. Nuk kishte kush të më shpjegonte por nisur nga harta, përballë, në ana tjetër të luginës, dukej Lugu i Ujit dhe majat e Kolatës ndërsa në malin që ngrihej thikë në jug të hotelit tonë, identifikova majat e Grykës së Hapët dhe të Zhaporres. Një nga këto maja duhet të ishte dhe ajo që në letra mbante emrin e një mësuesi që shkau dhe ra e vdiq në një greminë të këtyre anëve shumë vite më parë. Në Amerikë me shumë të drejtë është i ndaluar, për rrugë, qytete, male etj përdorimi i emrave të njerëzve, ndërsa këtu përveç malit që kishja mbi kokë në ato momente, edhe rrugës që na pruri në Valbonë i kishin vënë emër vdektari. Dhe për fat të keq nuk dëgjova kurrkund ndonjë emër që të lidhet me trashëgiminë kulturore e historike të zonës. Kujtova vëndet ku kishja qenë dhe rëndësinë që i jepnin trashëgimisë, kujtova dhe atë që kishin bërë norvegjezët në Trollstigen, vëndin e trollëve të cilat janë karaktere folklorike të ardhura nga eposet e vëndit të tyre siç është dhe Eposi i Kreshnikëve për ne.
..Ndërsa mbushja xhepat me kumbulla të egra pashë tim vëlla që doli nga hoteli e filloi të ecte ngadalë e kokulur lart e poshtë nëpër kopështin e hotelit.
-Nuk ka më lepuj këtu -më tha i dëshpëruar kur e pyeta se ç’po bënte – Vjet kishte por këta të hotelit thanë se ka njerëz që gjuajnë natën me drita.
Më poshtë matanë pyllit të fund shpatit duken zajet e lumit dhe matanë tij hotel- restoranti “Fusha e Gjës’ ”. Vetë fusha është e mbuluar nga pishat hormoq, një halor i rrallë dhe me bukuri të jashtëzakonshme. Midis tyre ka dhe drurë ahu, mështekna, arra, gështenja dhe mollë e kumbulla të egra..
Midis “Fushës së Gjës” dhe “Margjekës” shtrati i Valbonës nuk ka ujë. Thanë se uji këtu ecën poshtë gurëve por zallishtja pa ujë duket e thatë dhe e shëmtuar. Diku andej më poshtë, del përsëri në sipërfaqe. Mendova se kështu do dukej i gjithë shtrati i lumit po të ndërtoheshin hidrocentralet..
………………….
Nisemi të ikim nga Valbona. Nesër unë duhet të jem në Amerikë. Do doja të rrija shumë më gjatë por qofshim mirë e mbase vij përsëri.
Në një farë mënyre unë dhe u shqetësova pak nga komercializimi ndoshta dhe i pashmangëshëm që kish filluar të vihej re nëpër hotelet dhe restorantet e zonës. Për rreth hotelit “Fusha e Gjësë” vinte era gjellë dhe kishte shishe plastike e mbeturina të hedhura ndërsa në kanalin e betontë të oborrit përpara hotelit, troftat e ngordhura qelbeshin të përzjera me të gjallat. Pak më poshtë në mes të rrugës kryesore vazhdonte të ecte lart e poshtë i njëjti pronar hoteli që pamë edhe kur erdhëm dhe që intimidonte turistët që shkoninn në hotelet e të tjerëve. Vëllai me nipin ja dinin edhe emrin dhe më treguan se e kishin parë të bënte të njëjtën gjë edhe herët e tjera kur ata kishin ardhur aty. Mbase dhe nuk është njëlloj por fytyra e tij e paqeshur, më kujtoi një pronar restoranti në jugun e Shqipërisë i cili bëri bujë kur ju hodh në xham të makinës ca klientëve që nuk pranuan të hanin drekë në lokalin e tij.
Në anë të rrugës kërcasin çekiçët. Shoh puntorë që mbërthejnë kallëpe betoni. Vrasës me leje shteti e që nuk kanë dhimbsuri për Valbonën po e vrasin atë.

11 leje hidrocentralesh dha një nga qeveritë e shkuara – të mendosh çdo dy kilometra një hidrocentral- 9 nga këto mundi ti ndalonte një nga qeveritë e mëvonshme. Nuk mund ta provoj, por ata me të cilët fola më thanë se të gjtha lejet janë dhënë për militantë partiakë e për njerëz që përfliten se pastrojnë para. Por kjo nuk ndryshon gjë. Në Dragobi e pashë me sytë e mij se si ca parallinj të pasur, të pajisur me leje shteti, po devijonin lumin për të ndërtuar hidrocentrale private me ujin publik e në vend publik.
“Heidi” i Valbonës, Catherine Bohne e cila luftoi gjatë për mbrojtjen e parkut nuk është më këtu. Nuk e di në u lodh dhe humbi shpresën apo e kërcënuan dhe iku. As djemtë e hotelit nuk dinin të më shpjegonin.
Goditjet e çekiçëve të punëtorëve më kujtojnë poetin Rreshpja, që ishte me origjinë nga kjo zonë. Kujtoj një poezi të tij që flet për arkeologë që mbërthenin arka ku stivosnin perënditë e gjetura. Nuk dua që dhe Valbona të jetë një nga ato. Sepse unë as parajsën nuk do ta doja më të mirë se sa Valbona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb