Në një zhvillim të pashembullt dhe tronditës për jetën mediatike të vendit, gazeta më e madhe dhe më me ndikim në Shqipëri, gazeta “Panorama” dhe Gazeta “Panorama Sport”, prej datës 9 gusht nuk dalin në treg. Për herë të parë në historinë e saj shumëdekadëshe, publikimi i së përditshmes “Panorama” dhe “Panorama Sport” është ndërprerë për shkak të një shtetrrethimi të papritur në mesnatë të vendosur nga forcat e policisë dhe ushtrisë, në ambjentet e TV Neës24 aty ku ndodhet edhe redaksia e dy gazetave. Ato nuk janë më në kioska, në kafenetë e mëngjesit, as në duart e lexuesve besnikë.

Zëri i fjalës së lirë është zëvendësuar nga heshtja. Prej më shumë se dy dekadash, gazeta “Panorama” ka qenë zëri i mëngjesit për mijëra shqiptarë. Një pikë referimi për lajmin, investigimin, opinionin dhe debatin publik. Por që prej datës 9 gusht 2025, gazeta më e madhe dhe më e shitur në vend, “Panorama”, dhe “Panorama Sport” ka ndaluar së qarkulluari në treg, një ngjarje e pashembullt që ka shkaktuar habi, shqetësim dhe shumë pyetje në opinionin publik. Asnjë njoftim paraprak, asnjë paralajmërim, asnjë shpjegim i qartë. Pas kësaj heshtjeje prej katër ditësh, qëndron një akt i rëndë, i paprecedentë dhe alarmues për çdo demokraci funksionale: hyrja e ushtrisë në ambientet e redaksisë së “Panorama”-s dhe sekuestrimi i të gjithë pajisjeve elektronike, arkivës gazetareske dhe materialeve të brendshme.

Në heshtje, pa transparencë publike, pa urdhër të bërë publik nga ndonjë gjykatë, forcat e armatosura kanë marrë në dorë kontrollin mbi historinë, punën dhe kujtesën kolektive të një redaksie që ka jetuar në funksion të fjalës së lirë. Kur një redaksi nuk lejohet të botojë, kur gazetarët nuk mund të hyjnë në zyrat e tyre, kur arkivat u sekuestrohen nga forca të armatosura, kjo nuk është më një çështje mediatike. Është një çështje kombëtare. Askush s’ka dalë të shpjegojë zyrtarisht pse ushtria u dërgua në një institucion civil të shtypit. Nuk ka asnjë informacion për fatin e dokumenteve, email-eve, kontakteve konfidenciale të gazetarëve apo materialeve në hetim. Janë zhdukur gjithçka, nga raportet hetimore e deri te analizat në përgatitje. Është shuar, me një lëvizje të dhunshme, një memorie e tërë gazetareske. “Panorama” ka qenë zëri kritik në momente kur shumë të tjerë zgjodhën të mbanin anë. Ajo ishte e lirë. Dhe sot, ajo liri është dhunuar në mënyrën më të egër. Kur ushtria hyn në një redaksi, fjalët nuk janë më të lira. Ato janë nën kërcënim. Kur arkiva e gazetarëve merret me forcë, historia manipulohet. Kur një gazetë hesht, jo nga zgjedhja, por nga dhuna, demokracia është në rrezik.

Gazeta “Panorama” nuk është thjesht një gazetë që mungon. Shumë e konsiderojnë këtë mungesë si “heshtjen më të zhurmshme” të shtypit shqiptar në dekadat e fundit. Është një boshllëk në informacion, në transparencë, në vetë jetën publike. Në një vend ku mediat janë gjithnjë në presion nga politika, ekonomia dhe interesat e ngushta, mungesa e gazetës më të madhe ngre pikëpyetje të forta. A është kjo vetëm një mungesë e përkohshme, apo një sinjal i qartë se një epokë mediatike po mbyllet, nën trysninë e frikës, kontrollit dhe autocensurës?

Gazeta Panorama” startoi numrin e parë më 3 tetor 2002, por shumë shpejt u shndërrua në një nga mediat më me ndikim në vend. Me një qarkullim të përditshëm të lartë, faqe të pasura me informacion, opinione nga figura të rëndësishme dhe rubrika të specializuara, gazeta ka qenë gjithmonë në qendër të debatit publik. Nga investigimet politike te çështjet sociale, nga kronikat e ditës te analizat ekonomike, ajo ka luajtur rolin e një “pasqyre të shoqërisë shqiptare” për më shumë se dy dekada. Mungesa e saj, qoftë edhe për një ditë, nuk është një detaj teknik, është një alarm për demokracinë.

Dhe një apel për ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike: Ju që shpesh keni mbështetur fjalën e lirë në këtë vend, që jeni ngritur kundër censurës dhe keni kërkuar reformë dhe transparencë, tani është momenti të flisni. Nëse redaksitë e pavarura nuk gëzojnë më mbrojtjen minimale të të drejtave të tyre, atëherë çdo projekt për integrim, çdo raport për progres, çdo standard demokratik është një iluzion i rremë. Por ndryshe nga ç’besojnë ata që duan të na heshtin, kjo nuk është fundi. Unë, së bashku me kolegët e mi të “Panorama”-s, nuk do të ndalemi. Ne do të çojmë përpara misionin tonë gazetaresk, me të njëjtën përkushtim, me të njëjtën integritet dhe me më shumë vendosmëri se kurrë. Qëndrojmë të bashkuar. Qëndrojmë përballë padrejtësisë. Sepse fjala e lirë nuk ndalet me urdhra, as me polici e as me ushtri. Ajo jeton përmes guximit.

Kryeredaktore e gazetës “Panorama”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb