Për ndërtimin e Via Egnatias shpre het një gur miliar i zbuluar në vitin 1974 në rrethinat e Selanikut. Në këtë gur në latinisht dhe greqisht lexohet emri i Prokonsullit të Maqedonisë Knaesus Egnatius, biri i Gajusit, sunduesit të Romës, si dhe distanca prej 260 miljesh ndërmjet Dyrrachionit (Durrësit) dhe Tessalonikut (Selanikut). Ky shënim me emrin e shtetarit më të lartë të provincës së Maqedonisë, nën pushtetin e të cilit u ndërtua kjo rrugë, shpreh faktin historik se punimet e Via Egnatias u realizuan në periudhën republikane të Romës, ndërmjet viteve 146-143 para erës sonë, në fillimet e prokonsullit të Egnatiusit në Maqedoni, emrin e të cilit mori dhe vetë rruga.

Nëpërmjet Portave, Via Egnatia hynte në sistemet e fortifikuara të qyteteve të asaj kohe. Portat e qyteteve antike ku kjo rrugë, duke çarë muret e fortifikuara, futej në qytet mespërmes duke dalë nga faqja simetrike e fortifikimit, quheshin Porta e Artë – Golden Gate. Deri më sot, Golden Gate të Via Egnatias në Ballkan, diku e ruajtur apo diku sipas burimeve, hasen në Dyrrachion (Durrës), Scampis (Elbasan), Tessalonik (Selanik) dhe në Kostandinopojë (Stamboll). Gjurmët e Portës së Artë në Kalanë e Durrësit dolën pas prishjes së godinës së ish-Shtëpisë së Pionierit karshi Inter Klubit.

Ajo ndodhet në murin më të hershëm të kalasë, muri i shek.III-IV të erës sonë ndërtuar me tulla. Punimet e çlirimit të kryera në fundin e vitit 2000 evidentuan konstruksionin e Portës së Artë të Durrësit. Nën asfaltin e rrugës doli gjurma e fillimit të qemerit të madh me tulla, në mbështetjen e djathtë të saj. Pas llogaritjeve ky qemer rezulton me hapësirë drite rreth 9.6 m. Djathtas tij ndodhet qemeri i vogël i kalimit të këmbësorëve me hapësirë drite 2.5 m.

Qemeri i majtë nuk ruhet, por gjurmët e tij mund të jenë nën lulishten pranë. Porta e Artë e hyrjes së Via Egnatias në Dyrrachion dhe në vetë gadishullin ballkanik kaformë klasike. Një hark i madh qendror për kalimin e qerreve me dy harqe simetrike më të vegjël anash për kalimin e këmbësorëve. Në vitin 1914 qemeri i madh ka qenë i ruajtur plotësisht. Për historinë e Via Egnatias është shkruajtur dhe folur shumë.

Në kushtet e sotme të krijimit të shumë organizmave kulturorë kombëtarë e ndërkombëtarë, kjo vijë antike meriton statuse të veçanta si Pasuri e Kulturës Botërore, Itinerar Kulturor Ballkanik etj. Evidentimi i elementëve të kësaj vije antike si dhe i qendrave dhe objekteve monumentale përgjatë saj përbëjnë një tematikë që duhet trajtuar, pasi përveç vlerave historike-dokumentare, ato janë të lidhura organikisht me turizmin kulturor, të cilin ende nuk po e ndjejmë në masën e duhur.

(Prof. Valter Shtylla, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, ka shkruar një artikull të gjatë për Egantiuan)

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb