Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaron se gjatë takimit kanë diskutuar për Bordin e Paqes, Samitin e NATO-s dhe mekanizmin e shqyrtimit të investimeve.

Balla thekson gjithashtu se Shqipëria mbështet vizionin e Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke shtuar se këto angazhime po përmbushen hap pas hapi.

Postimi

Ndërsa nesër në Washington Presidenti Donald Trump mirëpret Kryeministrin Edi Rama dhe aleatë të tjerë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, u takova sot me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn. Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe mbështesim vizionin e Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, angazhime të cilat Shqipëria po i përmbush hap pas hapi.

Gjithashtu diskutuam për interesin e kompanive amerikane, partneritetet e drejta ekonomike dhe hapat e hedhura nga autoritetet ekzekutive në iniciimin e një mekanizmi efikas për shqyrtimin e investimeve. Vlerësova lart mesazhet e Sekretarit të Shtetit Rubio mbi partneritetin e pazëvendësueshëm euro-atlantik në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb