Federata Panshqiptare e Amerikës, ‘’Vatra’’ i bën thirrje deputetëve të Kosovës të votojnë në seancën e sotme pa hezitim kandidaten Vjosa Osmani për Presidente.

Në një deklaratë të kryetarit Elmi Berisha, deputetët nuk duhet të hezitojnë dhe lojërat politike tashmë janë të papranueshme.

Berisha thekson se Osmani është zonja më legjitime në Kosovë dhe më e votuara në zgjedhjet e fundit prandaj sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për stabilitet politik e institucional.

 

DEKLARATA NGA KRYETARI I VATRËS, ELMI BERISHA

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i bën thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që të votojnë, menjëherë dhe pa hezitim kandidaten për Presidente Dr.Vjosa Osmani.

Votë kundër Vjosa Osmanit është votë kundër miqve ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës të cilët kërkojnë të plotësohet kuorumi dhe të realizohet votimi.

Politikanët e tjerë janë provuar, verdikti i qytetarëve të Kosovës u shpreh qartë për ndryshim. Mos e pengoni ndryshimin, lejojeni votimin. Zonja Osmani është zonja më legjitime dhe më e votuar në Kosovën e pasluftës. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional.

VATRA i bën thirrje të gjithë politikanëve në Kosovë që të dalin mbi interesa meskine personale dhe të tregojnë maturi, pjekuri dhe të mos tradhëtojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Lojërat politike janë të papranueshme dhe nuk i shërbejnë interesit shtetëror të Kosovës. Kosova në gjithçka dhe mbi gjithçka.

Me nderime Kryetari i VATRËS Elmi Berisha

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb