Një veprim i ashpër nga autoritetet serbe ka shkaktuar zemërim në qytetin e Novi Sadit, ku studentët e Fakultetit të Filozofisë po denoncojnë presione dhe kërcënime nga dekani i tyre, Milivoj Alanovic. Sipas tyre, dekani, i mbështetur nga pushteti i Beogradit, ka nisur masa ndëshkuese ndaj studentëve që protestuan kundër ndikimit politik në universitet. Në një email zyrtar, Alanović i ka dërguar autoriteteve një listë me 34 studentë të cilët i konsideron “të papërshtatshëm”, duke paralajmëruar fillimin e procedurave disiplinore ndaj tyre. Studentët e cilësojnë këtë si një shembull të qartë të represionit politik ndaj zërit të lirë të rinisë.

Situata ka përshkallëzuar tensionet që nga 26 gushti, kur dekani, i shoqëruar nga agjentë sigurie dhe policë, ndërhyri me dhunë për të shpërndarë protestën e studentëve që kishin bllokuar hyrjen në fakultet. Që nga ajo ditë, dhjetëra forca policore janë vendosur brenda dhe jashtë godinës së universitetit, duke e kthyer institucionin në një zonë të rrethuar me masa të rrepta sigurie.

Protestat kanë qenë të shoqëruara me përplasje të ashpra. Në ditën e parë u raportuan arrestime dhe dhunë ndaj studentëve, ndërsa ditët pasuese policia ka përdorur gaz lotsjellës, mjete tronditëse dhe bomba shokuese për të shpërndarë protestuesit.

Pamjet nga Novi Sadi tregojnë një situatë shqetësuese – studentët kërkojnë të drejtat e tyre, ndërsa përballen me dhunë dhe shtypje nga autoritetet. Aktivistë dhe qytetarë frikësohen se kontrolli i plotë mbi institucionet akademike po rikthehet, ndërkohë që zërat kritikë ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiçit po shtohen.

Qeveria serbe është kritikuar shpesh për kontroll të tepruar mbi institucionet, shtypjen e opozitës dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Rasti i Novi Sadit po shihet nga analistët si një tregues tjetër i forcimit të tendencave autoritare në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: