POGRADEC– Priten përfundimet nga ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes së foshnjës vetëm 4-ditëshe në Pogradec. Ende nuk janë saktësuar shkaqet që çuan në vdekjen e foshnjës edhe pse prindërit pretendojnë për neglizhencë nga ana e mjekëve. Nëna e foshnjës, Semke Hyka nuk ka mundur të marrë pjesë në ceremoninë mortore të foshnjës për shkak të gjendjes së rëndur psikologjike të saj.

Ajo ka kërkuar që të transferohet në Tiranë, pasi nuk ndihet mirë në atë vend ku humbi foshnjën e porsalindur.

Një ditë më parë, babai foshnjës kallëzoi mjekun pediatër Nexhmi Elezi për neglizhencë, ndaj të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë “për mjekim të pakujdesshëm”.

Sipas babait të foshnjës mjeku në fjalë, nuk mori masa, për ta dërguar me shpejt fëmijën drejt Tiranës edhe pse prej dy ditësh kishte probleme.

33-vjeçari Agron Hyka paralajmëron se do të bëjë vetëgjyqësi nëse nuk merren masa ndaj mjekut dhe infermiereve në spitalin e Pogradecit.

Ndërkohë shefi i Pavijonit, Ilir Gusho, në një reagim për mediat tha se fëmija lindi normalisht dhe pa asnjë problem. Vetëm pas më shumë se 12-orësh shfaqi një infeksion në lëkurë, por kjo sipas tij ishte normale për të porsalindurit. Gjendja sipas mjekut përkeqësua më vonë dhe fëmija shfaqi nxirje të buzëve, ç’ka sipas tij hedh dyshime mbi probleme cerebrale. Por do të jenë përfundimet e autopsisë që priten të dalin pas dy javësh, ato që do të përcaktojnë dhe shkakun e vdekjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb