Babai i foshnjës 2-muajshe nga Devolli, e cila ndërroi jetë në Tiranë, ka rrëfyer momentet e vështira që familja ka kaluar që nga lindja e fëmijës deri te lajmi tragjik për vdekjen e saj. Sipas tij, foshnja e seksit mashkull kishte lindur para kohe dhe fillimisht ishte dërguar për trajtim në Tiranë, ku qëndroi për rreth një muaj në inkubator. “E çuam në Tiranë sepse fëmija doli shtatanik. Mjekët e mbajtën në inkubator dhe qëndroi një muaj atje. Pastaj u kthye në Korçë për rreth 10 ditë. Më pas na morën në telefon dhe na thanë të vinim ta merrnim fëmijën”, tregon Arben Veshalliu.
Babai thotë se kur e morën foshnjën nga spitali, mjekët u dhanë disa ilaçe dhe udhëzime për kujdesin ndaj saj në shtëpi. “Na dhanë ilaçet dhe ja jepnim siç na thanë. I kam dhënë edhe qumësht pluhur, por nuk ishte fëmijë që pinte shumë. Nuk na thanë që kishte përsëri probleme, vetëm na thanë ta nxirrnim nga spitali”, shprehet ai.
Ai tregon se gjendja e foshnjës u përkeqësua pasi nuk po ushqehej dhe nxirrte qumështin. “U detyrova ta çoja në spital sepse nuk pinte qumësht, e nxirrte jashtë. Nuk kishte temperaturë apo shenja të tjera”, thotë babai.
Sipas tij, fillimisht e çoi foshnjën në Devoll, ku mjekët e këshilluan ta dërgonte në Korçë. Më pas nga Korça u vendos që foshnja të transferohej sërish në Tiranë. “Në Devoll më thanë ta çoja në Korçë, ndërsa Korça e dërgoi në Tiranë. Unë nuk doja ta çoja përsëri në Tiranë sepse e kishim çuar një herë”, tregon ai.
Foshnja u transportua drejt Tiranës me dy infermiere dhe u dërgua në spitalin “Nënë Tereza”. Por pak më vonë familjarët morën lajmin e rëndë. “Kur u kthyem në Pogradec, na morën në telefon dhe na thanë që foshnja kishte ndërruar jetë”, shprehet ai. Babai thotë se foshnja kishte pasur probleme me mushkëritë dhe infeksion që në momentin e lindjes. “Fëmija kishte probleme me mushkëritë dhe infeksion që kur lindi”, tregon ai.
