Ikona e kinemasë franceze dhe një nga figurat më simbolike të shekullit XX, Brigitte Bardot, ka ndërruar jetë të dielën, më 28 dhjetor, në moshën 91-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Fondacioni Brigitte Bardot, i cili njoftoi gjithashtu se ceremonia mortore do të mbahet më 7 janar në Saint-Tropez.
Funerali pritet të tërheqë interes të madh publik dhe mediatik. Bardot kishte shprehur më herët dëshirën për t’u varrosur në kopshtin e shtëpisë së saj, me një kryq të thjeshtë prej druri, pranë kafshëve të saj. “Do të preferoja të isha atje, sesa në varrezat e Saint-Tropez”, kishte deklaruar ajo në një intervistë për Le Monde në vitin 2018. Megjithatë, autoritetet lokale kanë bërë të ditur se varrimi do të kryhet në varrezat e qytetit. Brigitte Bardot ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit, me bashkëshortin e saj, Bernard d’Ormale, pranë. Sipas një zëdhënësi të fondacionit të saj, fjalët e fundit të aktores ishin shprehje dashurie për të shoqin.
E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot arriti famë ndërkombëtare në moshë të re, veçanërisht pas rolit të saj në filmin “Dhe Zoti Krijoi Gruan” (1956). Prania e saj karizmatike e shndërroi në një simbol të lirisë, sensualitetit dhe emancipimit femëror. Ajo luajti në rreth 50 filma, përpara se të tërhiqej nga aktrimi në vitin 1973. Pas largimit nga kinemaja, Bardot iu përkushtua pothuajse tërësisht mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, duke themeluar Fondacionin Brigitte Bardot dhe duke e kthyer këtë kauzë në misionin e saj jetësor. Megjithatë, vitet e fundit të jetës së saj u shoqëruan me polemika të shumta për shkak të deklaratave të saj raciste dhe pozicioneve ekstreme politike, për të cilat ajo u dënua disa herë nga drejtësia franceze.
Politikisht, Bardot ishte një mbështetëse e hapur e së djathtës ekstreme dhe e Marine Le Pen, të cilën e kishte cilësuar si një “Zhan D’Ark moderne”. Reagimet pas vdekjes së saj kanë qenë të përziera. Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi Bardot si “një simbol të kinemasë franceze dhe të një epoke lirie”, ndërsa figura të tjera politike theksuan se trashëgimia e saj artistike nuk mund të ndahet nga deklaratat dhe qëndrimet e saj kontroverse.
