TIRANE – Gjykata kërkon mbrapsht paratë e dëmshpërblimit nga familjarët e ishministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi, që ndërroi jetë në vitin 2012 nga një aksident rrugor. Ata, sipas vendimit të gjykatës, duhet të kthejnë mbrapsht një shumë prej 19.4 milionë lekësh të rinj, të marrë si dëmshpërblim për humbjen e të afërmes së tyre. Shuma në fjalë duhet t’i kthehet një shoqërie private sigurimi, e njëjta që dëmshpërbleu familjen pas aksidentit. Detyrimi i lindur për bashkëshortin dhe dy fëmijët e të ndjerës Uruçi është pjesë e një vendimi të Gjykatës së Tiranës, e cila i dha fund shqyrtimit të një padie civile të shoqërisë së sigurimit kundër familjes Uruçi, duke vendosur në favor të së parës.
Në verdiktin e shpallur në 14 korrik nga gjyqtarja Ariana Gunbardhi (Caco), gjykata pranon kërkesën e kompanisë së sigurimeve për të detyruar kthimin e dëmshpërblimit. “Detyrimin e të paditurve Dashamir Uruçi, B. Uruçi, E. Uruçi të paguajnë detyrimin sipas kontratës në masën 19.430.000 lekë dhe shpenzimet gjyqësore”, thuhej në vendimin e gjykatës. Sipas vendimit, familja Uruçi kishte shkelur kushtet e parashikuara në një kontratë të nënshkruar me shoqërinë e sigurimit, pasi ishte dëmshpërblyer me shumën në fjalë. Një nga këto kushte kishte qenë edhe fakti që pas marrjes së dëmshpërblimit familjarët nuk do t’i drejtoheshin gjykatës, duke kërkuar ndryshimin e shumës së dëmshpërblimit. Ky kusht është shkelur nga familjarët e të ndjerës, të cilët e paditën në gjykatë kompaninë e sigurimeve.
HISTORIA
Në 17 dhjetor 2011, në aksin Vorë- Tiranë, në afërsi të “C…”, mjeti me targë “TR 6858 K”, nën drejtimin e shtetasit Artan Kotarja, si pasojë e motit të keq dhe mosmbajtjes së distancës së sigurisë, ka goditur mjetin me targa “TR 8580 J”, me drejtues të paditurin Dashamir Uruçi dhe me pasagjere të ndjerën Esmeralda Uruçi. Si pasojë e këtij aksidenti ka pësuar dëme shëndetwsore i padituri Dashamir Uruçi dhe e ndjera Esmeralda Uruçi, e cila, si rrjedhojë e dëmtimeve të marra në aksident në datën 21 mars 2012, ka ndërruar jetë. Katër muaj më vonë, në qershor të këtij viti, trashwgimtaret ligjorë të së ndjerës Esmeralda Uruçi, kanë paraqitur kërkesën pranë kompanisë private të sigurimit për dëmshpërblim për këtë aksident. Kompania e sigurimeve, pasi ka trajtuar kërkesën për dëmshpërblim dhe diskutimeve të gjata me palët, ka rënë dakord për pagesën e dëmshpërblimit në shumën 18.931.089 lekë për humbjen e jetës së të ndjerës Esmeralda dhe 507.703 lekë për dëmet shëndetësore të të paditurit Dashamir Uruçi. Në këto kushte të paditurit, familja Uruçi, ranë dakord për zgjidhjen në rrugë administrative dhe pagesën e dëmit të humbjes së jetës së ish-ministres dhe dëmeve shëndetësore të bashkëshortit të saj në një total prej 19.4 milionë lekë. Për këtë fakt ata kanë nënshkruar edhe një kontratë “Për dhënie dëmshpwrblimi dhe deklarim pranimi i vlerës së dëmshpwrblimit”. Po ashtu, ata kanë nënshkruar edhe një deklaratë noteriale në mënyrë të njëanshme, pa praninë e shoqërisë së sigurimit, ku kanë deklaruar se nuk kanë asnjë pretendim sot dhe as në të ardhmen në lidhje me të gjitha kushtet e kontratës së sipërcituar.
SHKELJA E KONTRATES
Në një nga pikat e kontratës së nënshkruar mes kompanisë së sigurimeve dhe familjes Uruçi, përcaktohej që këta të fundit hiqnin dorë nga e drejta e tyre për ngritjen e kërkesë padive në gjykatë, në lidhje me pretendimin mbi shumën e dëmshpërblimit. Po sipas kontratës, nëse nënshkruesit Uruçi do të vijonin në të ardhmen me procese gjyqsore, detyroheshin t’i paguanin penalitet kompanisë së sigurimeve, që mund të shkonte deri në dyfishin e shumës së dëmshpërblimit. Sipas Gjykatës së Tiranës, ka qenë pikërisht shkelja e këtyre kushteve nga ana e përfaqësuesve të familjes Uruçi ajo që ka çuar në prishjen e kontratës mes palëve. Në të njëjtën kontratë përcaktohej se për të mbërritur në vlerën përfundimtare të dëmshpërblimit, ishin bërë konsultat me ekspertë vlerësues të dëmeve për dëmin pasuror dhe jopasuror, ekspertët mjekoligjorë për masën e paaftësisë në punë, si dhe konsultimet me legjislacionin civil dhe atë të sigurimeve. “Më vonë paditësi, kompania e sigurimit, ka rënë në dijeni se të paditurit, familja Uruçi, kanë iniciuar një proces gjyqësor me anë të të cilit kërkojnë detyrimin e shoqërisë siguruese për të dëmshpërblyer të paditurit në këtë proces për aksidentin e datës 17.12.2011″, thuhej në vendimin e gjykatës. Nisur nga ky fakt, shoqëria e sigurimeve i ka konsideruar të shkelura kushtet e kontratës dhe i është drejtuar gjykatës me një padi civile. Përmes kësaj padie, shoqëria e sigurimeve kërkonte detyrimin e tre anëtarëve të familjes Uruçi t’i paguanin detyrimin, sipas kontratës, në shumën 19.4 milionë lekë.
Paditë gjyqësore të familjes Uruçi që prishën kontratën
Dy paditë civile të familjarëve të ish-ministres Esmeralda Uruçi për “shkaktim dëmi” kundër shoqërisë së sigurimeve që i dëmshpërbleu ata për aksidentin e saj, janë depozituar në Gjykatën e Tiranës, në janar të vitit 2014. Në të dyja paditë në rolin e paditësit janë bashkëshorti i të ndjerës dhe dy fëmijët e saj, ndërsa pala e paditur, shoqëria e sigurimeve. Përmes këtyre padive, familjarët kërkonin dëmshpërblim për humbjen e jetës së të ndjerës Uruçi, si dhe për plagosjen e kryefamiljarit Dashamir Uruçi. “Detyrimin për të dëmshpërblyer diferencën e dëmit pasuror dhe jopasuror (dëmin biologjik, dëmin moral, dëmin ekzistencial), me pasoja plagosjen e rëndë, si pasagjer, plagosje e ardhur nga mjeti motorik me targë TR 6858 K, në aksidentin automobilistik të datës 17.12.2011, mjet ky i siguruar në momentin e aksidentit për përgjegjësinë ndaj palëve të treta. Detyrimin për të rimbursuar kamatat ligjore”, thuhej në objektin e padisë së depozituar në 10 janar të vitit të kaluar. Ndërsa në padinë e depozituar katër ditë më pas, paditësit kërkonin “Detyrimin për të dëmshpërblyer dëmin pasuror dhe jopasuror me pasoja vdekje, si pasagjere të bashkëshortes dhe nënës”. Të dyja këto padi janë duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës e për secilën prej tyre janë zhvilluar më shumë se 21 seanca gjyqësore dhe seancat e radhës pritet të zhvillohen në javën e dytë të shtatorit. Në të dyja shqyrtimet gjyqësore procesi ndodhet në fazën e njohjes së palëve me një aktekspertimi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
