TIRANE-Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar “lajm horrorr” atë që ka lexuar në media mbi Pëllumb Marnikollaj, person që dyshohet se ka vdekur në rrethana misterioze në komisariatin grek. Duke iu referuar leximit të lajmit në ‘BalkanWeb’, Berisha u bën thirrje autoriteteve greke, të zbardhin menjëherë me transparencë të plotë krimin e rëndë.

Ja cfarë shkruan Berisha

Nje lajm horror!
Emigrantin shqiptar Pëllumb Marinkolaj e masakrojne shtazerisht per vdekje ne komisariatin e Policise Kato Patisia te Athines!
Te dashur miq, nje lajm horror kane perhapur mediat online rreth vrasjes me masakrim nga police grek brenda ne nje komisariat policie ne kryeqytetin helen te te riut shqiptar emigrant ne Greqi, Pëllumb Marinkolaj dhe fshehjen e ketij krimi monstruoz nga autoritetet policore greke per mese 10 dite.
Duke shprehur ngushellimet me te sinqerta familjes se viktimes te ketij akti barbar, i bej thirrje autoriteteve greke te zbardhin me transparence te plote kete akt te shemtuar kriminal shteteror dhe te vendosin para ligjit autoret dhe fshehesit e tij.
Denoj gjithashtu heshtjen e turpshme te autoriteteve zyrtare shqiptare me masakrimin barabar te te te riut shqiptar ne komisariatin e policise greke. sb
Ketu me poshte keni shkrimin me te cilin eshte bere i njohur ky akt shtazor:
Ditën e nesërme do të mbërrijë në Shqipëri trupi i pajetë i shqiptarit të dënuar në shtetin grek, Pëllumb Marinkolaj.
Për këtë të fundit, dyshohet fort se është masakruar në burg si në rastin e të dënuarit tjetër Ilia Kareli. Marinkolaj është nga fshati Rrilë i Lezhës, shkruan “Balkanweb”. Ai dyshohet se është dhunuar deri në vdekje brenda në rajonin e Policisë Kato Patisia të Athinës.
Gjithashtu, dyshohet se ngjarja është mbajtur e fshehtë për 10 ditë, ndërsa trupi i tij ka qëndruar në frigorifer. Viktima Pëlumb Marinkolaj jetonte si emigrant në Greqi. Ngjarja është denoncuar përmes faqes ‘Realiteti Shkodër News’, ku thuhet se viktima Pëllumb Marinkolaj ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 8 vite burg. Prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar duke i dhënë një mase më lehtësuese, detyrim paraqitjeje. Me datë 3 gusht në orën 20:00, të mbrëmjes, shqiptari është paraqitur në rajon, por nuk ka dalë më i gjallë nga aty.
Policia e ka dërguar të vdekur në morgun e spitalit “Erithros Stravros” Athinë, duke deklaruar se i riu shqiptar ka rënë nga kati i katërt i godinës së rajonit. Rastësia ka bërë që pak minuta para se të futej në rajon, Pëllumb Marinkolaj të telefononte një shokun e tij.
Gjatë bisedës i ka thënë se do ta ritelefononte pasi të firmoste paraqitjen në rajonin e policisë. Miku i 28-­vjeçarit ka pritur telefonatën që nuk ka ardhur më. Pasi i riu nuk është bërë i gjallë, miq dhe familjarë janë interesuar për humbjen e kontakteve të tij. Avokati i cili ndiqte çështjen penale të Pëllumb Marinkolajt, ka refuzuar të flasë me shokët e të ndjerit, duke thënë se ishte me pushime.
E gjithë kjo situatë e paqartë ka vënë në alarm familjarët e të riut nga Lezha, ndërsa vëllai i tij ka udhëtuar drejt Athinës në kërkim të gjurmëve të vëllait të zhdukur. Pas shumë kërkimeve dhe përmes një avokateje është gjetur trupi i të riut fatkeq në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për tu varrosur duke u klasifikuar si një kufomë pa identitet.
Fillimisht drejtuesit e varrezave kanë refuzuar të tregojnë trupin, të cilit i ishte bërë autopsia pa praninë e prokurorisë, grupit hetimor, familjarëve apo avokatit , por vetëm me urdhër të policisë greke. Miqtë e tij rrëfejnë për “Realiteti News” se trupi ka pasur shenja të dukshme të një dhune monstruoze . Pasi drejtuesit e varrezave janë ballafaquar me familjarët dhe miqtë, ato kanë thënë se trupi është sjellë i vdekur dhe ai do i dorëzohej familjarëve me kushtin e vetëm, që të mos kishte denoncime dhe çështja te varrosej bashkë me te.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: