TIRANË- Në debatin në emisionin “Të paekspozuarit” në News24, gazetari Artan Hoxha ka risjellë në vëmendje çështjen e majorit Sokol Feka të vrarë gjatë rrëzimit të një avioni në Spanjë, me të cilin transportohej drogë. Hoxha ka kërkuar një koment nga ana e ish-Presidentit Bujar Nishani dhe ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Nishani tha se kishte dijeni për dinamikën e ngjarjes me informacione edhe nga SHISH edhe nga Prokuroria por jo më tej. Nga ana tjetër Kodheli tha se Prokuroria shqiptare nuk ka pasur një hetim në dijeninë e saj. Ajo mohoi përfshirjen e Forcave të Armatosura dhe tha se majori i ndjerë ishte rekrutuar për trafik gjatë një prej trajnimeve dhe se ishte rast sporadik.

Nishani: Kam qenë i interesuar dhe në ndjekje të gjitha rasteve që ishin flagrante dhe të rëndë që cenonin pjesëtarë të forcave të sigurisë. Për rastin konkret (Feka) kam kërkuar informacion. Ka ardhur informacion nga shërbimi për dinamikën e ngjarjes, ka ardhur edhe një informacion nga Prokuroria, një informacion edhe ky për dinamikën e ngjarjes. Ky informacion stopohej në institucionin i Presidentit me argumentin se po hetohej.

Kodheli: Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë çështje të hapur nga ana e Prokurorisë. Besoj se Prokuroria nuk e ka parë të nevojshme përderisa një vend si Spanja, vend i NATO-s i ka mbyllur. Shqipëria është po vend i NATO-s por historia njeh edhe raste të tjera si në SHBA. FA-të e vendeve anëtare të NATO-s nuk janë imune nga këto raste.

Bushati: Por jo kur janë shok ministrash.

Kodheli: Unë nuk di të ketë qenë shok ministri. Unë nuk e kam njohur. Akti i major Fekas- ka qenë i tij, sporadik. U largua me leje të zakonshme. Ishte rekrutuar gjatë një trajnimi jashtë shtetit dhe ka qenë një akt i turpshëm, pavarësisht se ai është larguar nga jeta, dhe i dënueshëm. Sporadik dhe mbetet vetëm në përgjegjësinë e tij. Kjo as e ndot FASH dhe as e involvon atë si strukturë. Në dijeninë time nuk di që ka pasur një hetim nga Prokuroria.

Hoxha: Por u bë një hetim nga ju. Ka pasur edhe shkarkime. Ne bëmë një hetim të brendshëm. Një ushtarak nuk e humb gradën, del në rezervë ose lirim. Por, nuk ka qenë ky rasti i asaj për të cilën zoti Hoxha po fliste.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: