Pas ngjarjes tragjike që ndodhi dje në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën 66-vjeçari Fari Veliu, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor në galeri, policia ka arrestuar në flagrancë 5 punonjës të stafit teknik të minierës, të dyshuar se nuk morën masat e nevojshme për sigurimin e kushteve të punës.

Të arrestuarit janë Njazi Përkola, Besnik Çupi, Ferit Truka, Ervis Kadiu dhe Edmond Xhafa. Hetimet paraprake tregojnë se neglizhenca në respektimin e rregullave të sigurisë ka çuar në pasojën fatale. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te kushtet e punës në minierat shqiptare.

Referuar të dhënave që rrjeti investigativ “Birn” ka siguruar në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “GERTI Shpk”, e cila është në pronësi të Jeton Danit. Ky i fundit është një emër i njohur në zonë, jo vetëm për aktivitetin minerar, por edhe për angazhimin politik në Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e hapur të PS-së në qarkun e Dibrës.
I kontaktuar nga BIRN-i, Dani kërkoi të “lihej rehat” dhe refuzoi të fliste për ngjarjen ku humbi jetën minatori 66-vjeçar.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë

Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F.V., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. V., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: