Një nga dy kriminelët karizmatikë të përfshirë në rrëmbimin që i dha botës termin “sindroma e Stokholmit” ka vdekur në moshën 78 vjeç, tha familja e tij. Clark Oloffson – i cili u bë i famshëm globalisht në vitin 1973 pas një rrëmbimi dhe grabitjeje banke në kryeqytetin suedez – vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, tha familja e tij për median online Dagens ETC.
Gjatë një rrethimi gjashtë-ditor, pengjet e Oloffson filluan të simpatizonin atë dhe bashkëpunëtorin e tij, duke i mbrojtur veprimet e tyre, ndërkohë që u bënë më armiqësorë ndaj policisë jashtë. Incidenti ia jep emrin një gjendjeje psikologjike të teorizuar, ku viktimat e rrëmbyera zhvillojnë dashuri për rrëmbyesit e tyre.
Rrethimi famëkeq i bankës u nxit nga një burrë tjetër, Jan-Erik Olsson. Pasi mori peng tre gra dhe një burrë, ai kërkoi që Oloffson – me të cilin ishte miqësuar më parë në burg – të sillej në bankë nga burgu. Autoritetet suedeze pranuan kërkesën e tij dhe Oloffson hyri në bankë, e cila ishte e rrethuar nga policia. Vite më vonë, në një intervistë me gazetën Aftonbladet, ai pretendoi se iu kërkua të punonte si njeri i brendshëm për të mbajtur të sigurt të burgosurit në këmbim të një dënimi të reduktuar, por akuzoi zyrtarët se nuk e kishin respektuar marrëveshjen.
Olofsson bindi njëren nga pengjet, Kristin Enmark, të fliste në telefon me kryeministrin suedez në emër të grabitësve. Ajo iu lut që ta lejonin të largohej nga banka me një makinë arratisjeje me rrëmbyesit, duke i thënë: “I besoj plotësisht Clark-ut dhe grabitësit… Ata nuk na kanë bërë asgjë.”
Ajo vazhdoi: “Përkundrazi, ata kanë qenë shumë të sjellshëm… Besojeni ose jo, por ne kemi kaluar një kohë shumë të mirë këtu.” Gjatë disa telefonatave, Enmark tha se kishte frikë se rrëmbyesit e saj do të dëmtoheshin nga policia dhe i mbrojti vazhdimisht veprimet e tyre.
Në kujtimet e saj, ajo tha për Oloffson: “Ai premtoi se do të sigurohej që të mos më ndodhte asgjë dhe unë vendosa ta besoja. Isha 23 vjeçe dhe kisha frikë për jetën time.” Situata e pengjeve përfundoi pas gjashtë ditësh kur oficerët e policisë depërtuan nëpër çati dhe përdorën gaz lotsjellës për të ndaluar çiftin.
Fillimisht, pengjet refuzuan të largoheshin nga pengmarrësit e tyre nga frika se do të qëlloheshin nga policia. Gjithashtu, pengjet më vonë refuzuan të dëshmonin kundër Oloffson dhe Olsson. Që atëherë, ekspertët kanë debatuar nëse sindroma e Stokholmit është një gjendje e vërtetë psikiatrike, me disa që argumentojnë se është një mekanizëm mbrojtës për t’u përballur me situatat traumatike.
Termi u shpik pas rrethimit nga kriminologu dhe psikiatri suedez Nils Bejerot për të shpjeguar dashurinë në dukje të paarsyeshme që disa robër ndienin për ata që i merrnin peng. Teoria arriti një audiencë më të gjerë vitin pasardhës kur Patty Hearst, u rrëmbye nga militantë revolucionarë.
Duke folur në podkastin Sideuays të BBC-së në vitin 2021 , Enmark e hodhi poshtë konceptin e sindromës së Stokholmit, duke thënë: “Është një mënyrë për të fajësuar viktimën. Bëra çmos për të mbijetuar.” Olofsson ishte një shkelës i përsëritur i ligjit dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në burg. Ai u lirua për herë të fundit në vitin 2018, pasi vuajti dënimin për një vepër penale që lidhej me drogën në Belgjikë. Në vitin 2022, aktori Bill Skarsgard e portretizoi atë në serialin dramatik të Netflix, Clark.
(Balkanweb)
