Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi këtë të premte një takim koordinues me ministrat dhe deputetët socialistë të Tiranës, në kuadër të organizimit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Bashkinë e Tiranës.

Gjatë takimit, Rama ka komentuar për herë të parë publikisht situatën e krijuar pas shkarkimit të Erion Veliajt, duke theksuar se: “Nuk e shkarkoi qeveria Erion Veliajn, por Këshilli Bashkiak.”

Deklarata e tij vjen në një kohë kur avokatët e Veliajt kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e dekretit të Presidentit, i cili shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve.

Rama u ka kërkuar të pranishmëve që të qëndrojnë larg debateve politike dhe publike lidhur me mënyrën se si u dekretuan zgjedhjet nga Kreu i Shtetit, duke theksuar se për Partinë Socialiste “çështja është e mbyllur” dhe nuk duhet të ndikohet organizimi elektoral.

Në vijim të mbledhjes, kreu i PS ka bërë ndarjen e zonave të përgjegjësisë për deputetët dhe ish-deputetët socialistë në territorin e Bashkisë së Tiranës, duke ndjekur të njëjtin model të përdorur në zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë fushatë pritet të jenë aktivë edhe ministrat e kabinetit, të cilët do të kenë rol mbështetës për strukturat në terren dhe do të angazhohen në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb