Bashkia e Tiranës do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas konfirmimit të kryeministrit Edi Rama ditën e sotme, i cili tha se kryeqyteti duhet t’i rikthehet normalitetit pas 7 muajsh që kryetari aktual Erion Veliaj ndodhet në qeli.
Rama propozoi emrin e Ogerta Manastirliut për të garuar në siglën e PS për të ruajtur qeverisjen socialiste në bashkinë më të madhe të vendit.
Së bashku me Tiranën, edhe Vlora pritet të shkojë në zgjedhje vendore të parakohshme pas dorëheqjes së kryebashkiakut Ermal Dredha. Sakaq, edhe Cërriku i bashkohet listës së bashkive që do të zgjedhin kryetarin e ri, pasi Andis Salla që drejtonte pushtetin vendor deri më sot u zgjodh nga Rama për të qenë ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Kështu, Tirana, Vlora dhe Cërriku i bashkohen listës së bashkive që pritet të shkojnë në zgjedhej pas vakancave të krijuara, së bashku me Beratin, Tepelenën dhe Matin.
Këto të fundit “humbën” kryebashkiakët e tyre, të cilët u zgjodhën deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Më konkretisht Ervin Demo i Beratit, Tërmet Peçi i Tepelenës dhe Agron Malaj i Matit do të jenë deputetë të rinj në Parlament, me ish-kreun e bashkisë së Beratit që do të shërbejë edhe si ministër i Pushtetit Vendor në vend të Arbjan Maznikut.
(BalkanWeb)
