Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar sot lidhur me mungesën e aksesit në dosjen hetimore që po zhvillohet ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas tyre, Veliaj është i penguar të përgatitë një mbrojtje efektive për shkak të kufizimeve në marrjen e materialeve të nevojshme.

Në një deklaratë për mediat, mbrojtja ligjore e Veliajt bën të ditur se, ndonëse është bërë një kërkesë zyrtare për të marrë kopje fizike të dosjes hetimore, SPAK ka refuzuar, duke i dorëzuar avokatëve vetëm një USB me dokumentet përkatëse.

Ata theksojnë se ky veprim bie ndesh me të drejtat që i garantohen Veliajt nga neni 31 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat parashikojnë të drejtën për një mbrojtje të drejtë dhe të plotë.

Po ashtu, mbrojtja ngre shqetësimin se SPAK vazhdon të refuzojë kërkesën për një takim me avokatët ndërkombëtarë të Veliajt, të cilët po përgatisin një ankim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Reagim i avokatëve të Erion Veliaj:

Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.

vijon/…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb