Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë një tjetër deklaratë të fortë, duke akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se po komandon Bashkinë e Tiranës nga qelia, duke përdorur policinë bashkiake për të bllokuar hyrjen e zyrtarëve të institucionit.
Sipas Berishës, Veliaj ka urdhëruar nga burgu ndalimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, duke krijuar një situatë absurde dhe të pashembullt. “Se si ndodh kjo, nuk e di. Por di që ai vazhdon të urdhërojë nga qelia sikur të ishte ende në zyrë”, u shpreh Berisha.
Në qendër të debatit është gjithashtu emërimi dhe më pas shkarkimi i Sara Goxhajt, të cilën Veliaj e vendosi në post, por më pas e tërhoqi vendimin duke thënë se bëhej fjalë për një “keqkuptim”.
“Veliaj bën një ‘salto mortale’ dhe papritur pranon se mbetet në fuqi emërimi i Edi Ramës”, shtoi Berisha, duke sugjeruar një skenar manipulimi politik brenda maxhorancës.
Ai gjithashtu akuzoi se statuset e Veliajt në rrjetet sociale shkruhen nga zyra e Edi Ramës, duke sfiduar që të analizohet stili i tyre dhe të krahasojë me postimet e mëparshme të kryeministrit.
